Kaçin: Serbia, në drejtim të kundërt me BE-në

27/03/2012 11:35

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kaçin ka deklaruar se Beogradi mund të bëjë hapa prapa në proçesin e integrimit evropian nëse realizon rehabilitimin e ish-komandantit të ushtrisë jugosllave, Dragolub Mihajloviç.

Kaçin është shprehur se një veprim i tillë do të ishte një hap në drejtim të kundërt me Bashkimin Evropian dhe do të dëmtonte rëndë imazhin e Serbisë.

“Rehabilitimi i gjeneralit Mihajloviç ndikon negativisht në proçeset integruese të Serbisë, duke qenë se bëhet fjalë për një udhëheqës të lëvizjes kolaboracioniste”, ka deklaruar Kaçin.

Sipas tij, rehabilitimi i figurës së ish-gjeneralit mund të ndikojë gjithashtu negativisht në marrëdhëniet e Serbisë me vendet fqinje, sidomos me ato që kanë qenë viktima të spastrimit etnik, duke vështirësuar pajtimin mes tyre.

“Tentativa evidente e ndryshimit të sistemit të vlerave është vërtetë shqetësuese. Evropa e pasluftës është ndërtuar në vlerat antifashiste, rehabilitimi i Mihajloviç është një hap në drejtim të kundërt”, ka vlerësuar Kaçin.

Kundër rehabilitimit të kësaj figure të Luftës së Dytë Botërore u shpreh disa ditë më parë edhe presidenti kroat Ivo Josipoviç.

Më herët gjatë muajit, eurodeputeti slloven i bëri thirrje Beogradit që të mbajë një qëndrim konstruktiv ndaj Kosovës, tani dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve.

“Beogradi duhet të fillojë me heqjen e strukturave paralele në veri të Kosovës, në mënyrë që EULEX-i dhe KFOR-i të kryejnë detyrën e tyre”, deklaroi Kaçin.

Ndër të tjera, ai përshëndeti vendimin e Brukselit për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE.

Top Channel