Japoni, tërmet në veri-lindje të vendit

27/03/2012 14:45

Një tërmet me magnitudë 6.4 është regjistruar në veri-lindje të Japonisë, zonë kjo e dëmtuar rëndë 11 marsin e vitit të kaluar, dhe është ndjerë deri në Tokio.

Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, që nuk ka dhënë alarmin për tsunami, epiqendra e lëkundjes është verifikuar në Paqësor, në prigjet e prefekturave Iuate dhe Mijagi, në 10 km thellësi.

Agjencitë japoneze të lajmeve njoftojnë se për momentin nuk sinjalizohen dëme në njerëz apo materiale dhe kompania që menaxhon çentralin e Fukushimës, TEPCO, nuk ka regjistruar anomali.

Dy javë më parë një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 ballë u regjistruar në vendin aziatik, me epiqendër në veri të Tokios, në prefekturat Ibaraki dhe Çiba.

Lëkundja u regjistrua në orën 21:05, me orën lokale, në 13.05 me orën tonë, në qytetin Çoshi, në prefekturën e Çibës.

Edhe pse nuk u dha alarmi për tsunami, Agjencia Meteorologjike Japoneze paralajmëroi se mund të kishte ndryshme të lehta të nivelit të detit në rajonet bregdetare.

Ndërsa më herët gjatë muajit, e tërë Japonia përkujtoi tërmetin shkatërrimtar të vitit të kaluar, që u shoqërua me tsunamin gjigand që dëmtoi edhe impiantin bërthamor të Fukushimës.

Qirinj, lule dhe letra përkujtimore u vendosën në përmendore të ndryshme në të gjithë vendin ditën e dielë, për të kujtuar mijëra personat që humbën jetën.

Top Channel