Me qindra fluturime janë anulluar në Gjermani, pasi stafi i aeroporteve shpalli një grevë të përgjithshme gjatë të martës, pas mosrealizimit të disa kërkesave të tyre të njëpasnjëshme për rritjen e pagës.
Linja kombëtare “Lufthansa” u shpreh se e pa veten të detyruar të anullonte mbi 400 fluturime, që do të niseshin nga aeroporti më i madh i vendit, Frankfurti.
Greva e punonjësve të aeroportit është pjesë e një lëvizje më të gjërë nga të gjitha sindikatat e punëtorëve të sektorëve publikë, përpara bisedimeve që do të mbahen me autoritetet më vonë gjatë javës.
Sindikata e punëtorëve të transportit dhe shërbimeve, me një total prej dy milionë antarësh, kërkon një rritje rroge prej 6,5% për të gjithë punëtorët e saj.
Mediat gjermane informuan se 1/3 e fluturimeve të planifikuara qëndruan në tokë në Frankfurt, ndërsa nga anullimet u goditën edhe aeroportet e Mynihut, Dyseldorfit, Shtutgartit, Këln-Bonit dhe Hanoverit.
Në negocimet e mëparshme, punëtorët refuzuan ofertën e autoriteteve për një rritje prej vetëm 3,3% të pagës në 24 muajt e ardhshëm. Rinegocimi mes të dy palëve do të nisë ditën e mërkurë.
Top Channel