Florida, protestë për vrasjen e 17-vjeçarit

27/03/2012 09:05

Grupe njerëzish janë mbledhur në Florida për të kujtuar vrasjen e adoleshentit me ngjyrë Trayvon Martin, një muaj më parë.

Përfaqësues të grupeve për të drejtat civile, prindërit e 17-vjeçarit dhe njerëz të thjeshtë të mbledhur në grupe u takuan në Sanford për t’u bërë thirrje autoriteteve që të arrestojnë autorin e vrasjes.

Ky i fundit është një roje vullnetare me origjinë latine, George Zimmerman, i cili qëlloi me armë zjarri adoleshentin me ngjyrë, kur ky ishte i çarmatosur.

Manifestimi ishte organizuar pas publikimit të detajeve mbi deklaratat e Zimmerman për policinë, se ai kishte vepruar për vetëmbrojtje.

Sipas informacioneve të kompanisë së rojeve ku punonte i dyshuari, Trayvon Marin kishte goditur me grusht Zimmerman, e kishte hedhur në tokë dhe kishte filluar ta godiste me shkelmë në kokë.

Policia e Orlandos nuk e vuri në diskutim versionin e ngjarjes të raportuar nga kompania Orlando Sentinel, ndërsa bashkiaku i qytetit të Senfordit tha se do të ndiqte penalisht këdo që është përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve.

Ndërkohë, një mik i Zimmerman deklaroi se, George mendoi se do të vdiste kur u sulmua nga 17-vjeçari. Joe Oliver tha për CNN se Zimmerman po hynte në makinën e tij kur u përlesh me Trayvon Martin.

“Besoj se Zimmerman pati frikë për jetën e tij”, deklaroi Oliver, duke shtuar se kishte dëgjuar versionin e mikut të tij natën e vrasjes.

Zimmerman nuk është akuzuar për asnjë krim, pasi deklaroi për agjentët e policisë që e morën në pyetje, se kishte vepruar për vetëmbrojtje.


Vrasja e adoleshentit me ngjyrë
tronditi gjithë Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin afro-amerikan në veçanti. Vetë presidenti Barack Obama shprehu trishtimin e tij për këtë ngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA