Tunizi, partia më e madhe kundër ligjit islamik

26/03/2012 21:40

Zyrtarë të partisë më të madhe në koalicionin qeverisës në Tunizi deklaruan të hënën se do të kundërshtojnë çdo lëvizje për të hequr islamin si fe zyrtare nga kushtetuta e vendit, por refuzuan edhe shndërrimin e ligjeve fetare në ligje të shtetit.

Tunizia është përfshirë së fundmi nga debate për të hartuar një kushtetutë të re e për të përcaktuar formën e re të qeverisjes së vendit. Reformatorët kanë kërkuar që të konfirmohet një sistem i ri ligjor i bazuar në laicizëm, ndërsa ekstremistët muslimanë duan vendosjen e Sharias, si në shumë shtetet të Lindjes së Mesme.

Antarë të përfaqësisë së lartë të partisë islamike “Ennahda” deklaruan se islami do të mbetet feja zyrtare e shtetit, por shtuan se do të kundërshtojnë nismën e ultranacionalistëve salafistë për ligjin fetar.

Prej kohësh, Ennahda ishte vendosur nën presion për të deklaruar pozicionin e saj rreth kësaj çështje.

“Ennahda ka vendosur që të mbajë të pandryshuar klauzolën e parë të kushtetutës së shkuar, në fuqi nga viti 1959”, deklaroi drejtuesi i lartë i partisë, Ameur Larayed, në një media vendase. “Ne duam që të bashkojmë tunizianët kudo që ndodhen, jo t’i ndajnë ata. Tunizia është një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, feja dërmuese e të cilti është islami, gjuha zyrtare është arabishtja dhe forma e regjimit është ai republikan. Asnjë nga këto nuk ka përse të ndryshojë”.

Një tjetër zyrtar i “Ennahdas”, Ziad Doulatli, u shpreh se shpreson që “Tunizia të shërbejë si një model për të gjithë ato vende që po kalojnë transformime të ngjashme”.

Mbi dhjetë mijë mbështetës të salafistëve kishin dalë në rrugët e kryeqytetit Tunis, ditën e dielë, për të shprehur mbështetjen e tyre për ligjin islamik të quajtur ndryshe Sharia.

Tunizia, një vend në Afrkën e Veriut, është duke përjetuar një periudhë të turbullt politike, që prej largimit të presidentit Zine al-Abidine Ben Ali pas 22 vitesh në pushtet, një vit më parë. Protestat fillestare në Tunizi shkaktuan më pas atë valë që u njoh si “Pranvera Arabe”.

Top Channel