Sarkozy: Mbyllim kufinjtë për predikuesit islamikë

26/03/2012 15:50

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, premtoi masa të ashpra përjashtuese ndaj të gjithë predikuesve muslimanë, që mund të kërkojnë të hujnë në vend.

Sipas Sarkozy, një politikë më e ashpër e Parisit në këtë drejtim është bërë e domosdoshme pas ngjarjeve të Tuluzës, ku shtatë persona, përfshi tre fëmijë, u ekzekutuan në tre sulme të ndryshme brenda një jave nga një vrasës i motivuar nga bindje raciste dhe ekstremiste fetare.

Policia arriti të eliminonte në banesën e tij vrasësin, i cili e konsideronte veten një ushtar të Al-Kaedës, pas një rrethimi maratonë gjatë javës së shkuar.

Sipas ekspertëve, pavarësisht rrethanave të momentin, një linjë më agresive kundër emigracionit është shndërruar në një lajmotiv të fushatës zgjedhore të presidentit Sarkozy, i cili duket se po kërkon të kompensojë defiçitin në sondazhe me socialistin Hollande, duke fituar vota nga elektorati radikal i Frontit Kombëtar të Marine le Pen.

Në një intervistë televizive, Sarkozy argumentoi se ashpërsimi i masave nga autoritetet është bërë i domosdoshëm, ndërsa theksoi se do të anullojë një konferencë islamike, që ishte planifikuar për t’u mbajtur në Francë gjatë muajit prill.

Zgjedhjet franceze zhvillohen me dy raunde, në datat 22 prill dhe 6 maj. Dy kandidatët me më shumë vota në raundin e parë, kalojnë në një ballafaqim të drejtëpërdrejtë përballë elektoratit në raundin e dytë. Aktualisht, sondazhet tregojnë kandidatët kryesorë, Sarkozy dhe Hollande, pothuajse të barabartë në popullaritetin që kanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA