Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur në një takim pasditen e së hënës një grup të lëvizjes Vetëvendosje, të kryesuar nga kryetari Albin Kurti.

Lajmi bëhet i ditur përmes një komunikate për shtyp të lëshuar nga selia e Presidencës kosovare, në të cilën thuhet se në qendër të takimit kanë qenë zhvilimet e fundit në Kosovë.

“Presidentja Jahjaga dhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, zoti Kurti, biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë për nismën e presidentes për krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrimet Evropiane, një mekanizëm bashkërendues institucional”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas dokumentit, gjatë takimit presidentja Jahjaga ka sqaruar se, Këshilli Kombëtar për Integrimin do të bashkërendojë krijimin e një konsensusi institucional e shoqëror dhe që do të nxjerrë rekomandimet që duhen implementuar për proçesin e integrimit.

Ndër të tjera, thuhet më tej në njoftimin zyrtar, presidentja dhe kryetari i Vetëvendosjes kanë diskutuar për shpalljen e zgjedhjeve për kryetarin e komunës së Ferizajt, vend që ka mbetur vakant pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm.

Nuk dihet nëse gjatë takimit është folur për problematika të tjera që kanë përfshirë së fundmi skenën politike kosovare, si marrëveshja me Serbinë, që kundërshtohet nga Vetëvendosja.

Apo për ekipin negociator, për të cilin lidershipi i lëvizjes ka kërkuar ndryshimin e anëtarëve, kërkesë kjo që është mbështetur nga kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Top Channel