Norvegjia mbyll ambasadën në Damask

26/03/2012 17:20

Norvegjia ka njoftuar mbylljen për motive sigurie të ambasadës së saj në Damask. Një diplomat norvegjez do të vazhdojë të qendrojë në kryeqytetin sirian dhe do të transferohet në ambasadën e Danimarkës.

Deri tani kanë mbyllur selitë e tyre diplomatike në Siri vende të shumta të Bashkimit Evropian, mes të cilave Italia, Spanja, Franca, Britania dhe Holanda, si dhe Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe gjatë monarki arabe të Gjirit.

Ky vendim i qeverisë së Oslos është marrë në shenjë proteste ndaj represionit të regjimit ndaj popullit sirian, si dhe për probleme sigurie, kanë njoftuar autoritetet norvegjeze.

Situata në Siri vazhdon të jetë e rënduar, me trupat ushtarake që shtypin pa mëshirë revoltat popullore, shpesh herë edhe duke bombarduar bastionet e tyre.

Për mundësimin e një ndërhyrjeje ndërkombëtare nevojitet një rezolutë e posaçme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që deri tani është bllokuar nga vetoja e Rusisë dhe Kinës.

Për këtë arsye, i dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, mbërriti të dielën në Rusi për t’u paraqitur autoriteteve ruse planin e tij të paqes.

Nga ana e tij, Damasku zyrtar deklaron se përmes ofensivave ushtarake po goditen grupe kriminale dhe terroriste, që sipas tij kanë si synim destabilizimin e vendit.

Top Channel