Merah: Vrasja, kënaqësi e pafund

26/03/2012 18:10

Mohamed Merah, autori i masakrave në Tuluz dhe Montauban, ndjente “një kënaqësi të pafund” kur vriste viktimat e tij.

Deklarata është bërë nga vetë Merah për agjentët që e kishin rrethuar në Tuluz, në orët që i paraprinë bastisjes së forcave speciale dhe shkëmbimit të zjarrit që çoi në vdekjen e tij.

Djali i ri gjatë negociatave me policinë tha gjithashtu se e ndjente të nevojshme të “shihte, prekte dhe filmonte viktimat e tij”, falë telekamerës së vogël që mbante me vete.

Më herët, përmes një marshimi të heshtur në rrugët e Tuluzës u kujtuan vrasjet e Mohamed Merah, katër viktimat hebreje të tij, tre nga të cilët ishin fëmijë.

Episodi i javës së kaluar, bashke me ekzekutimet e tre ushtarëve përpara tij, i ka zhytur banorët e këtij qyteti, por edhe pjesën tjetër të francezëve, në një reflektim të thellë mbi sigurinë dhe integrimin fetar në vend.

Ndërkohë, vëllai i Merah, mund të shpallet bashkëfajtor për vrasjet që kreu Mohamed. Sipas prokurorëve, Abdel Kadër, 29 vjeç, do të vazhdojë të qëndrojë në qeli deri në përfundimin e hetimeve.

Abdel Kadër hodhi poshtë akuzën për komplot kriminal, por deklaroi se ai ishte në dijeni për vjedhjen e një motori tip skuter, që i vëllai përdori për atentatet.

Përmes një deklarate, zyra e prokurorit shpjegoi se: “hetimet e policisë kanë nxjerrë në sipërfaqe disa piketa bindëse, që sugjerojnë se ai është bashkëfajtor në krimet e kryera”.

Top Channel