Horror në Indi, tibetiani i vë flakën vetes

26/03/2012 18:55

Një i ri tibetian është përpjekur të vetëvritet duke i vënë flakën vetes në Nju Delhi, gjatë një manifestimi të organizuar kundër vizitës së presidentit kinez Hu Jintao.

Lajmin e bën të ditur faqja e internetit Phayul, që menaxhohet nga komuniteti tibetian në ekzil. Personi, që jeton në kryeqytetin indian, është shtruar në spital për shkak të djegieve të rënda.

Manifestimi paqësor i tibetianëve është mbajtur në një zonë në afërsi të Parlamentit, ku ishte rreshtuar një kordon i fortë forcash sigurie.

Lideri kinez ndodhet në Nju Delhi për samitin që do të mbahet pas disa ditësh mes vendeve në zhvillim, ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, Kina, India dhe Afrika e Jugut.

Tibetiani, që është 27 vjeç dhe që është identifikuar si Jampa Yeshi,  ka pësuar djegie në pjesët më të mëdha të trupit, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Kur i vuri flakën vetes, shokët e tij u përpoqën t’i shuanin flakët duke përdorur flamujt që kishin në duar dhe duke i hedhur ujë nga shishet.

Rreth 600 tibetianë ishin mbledhur mëngjesin e së hënës për të protestuar kundër Hu Jintao, me parulla në favor të lirisë së Tibetit.

Vitin e kaluar, një tjetër i ri nga radhët e diasporës tibetiane lagu trupin me benzinë dhe i vuri flakën vetes përpara ambasadës së Kinës, duke marrë plagë të lehta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA