Shkrimtari izraelit David Grossman ka deklaruar se fuqitë ndërkombëtare nuk duhet ta lejojnë Republikën Islamike të Iranit që të bëhet një fuqi bërthamore.
Në një intervistë për emisionin “Shqip”, Grossman ka paralajmëruar se është e nevojshme që Irani të ndalet përpara se të arrijë objektivin e tij, “pasi në të kundërt do të ndodhë një fatkeqësi”.
“Askush nuk dëshiron të shohë Iranin bërthamor, por nëse kjo ndodh, do të krijohet një balancë e frikshme mes nesh dhe Iranit dhe do ketë luftë për të parandaluar që Irani të zgjerojë fuqinë e tij”, ka deklaruar Grossman.
Shkrimtari i njohur i Lindjes së Mesme është shprehur se programi bërthamor i Iranit është një çështje që duhet të shqetësojë të gjithë botën dhe jo vetëm Izraelin.
“Duhet të jetë bota që ta ndalojë Iranin dhe jo vetëm Izraeli. Një Iran bërthamor është i rrezikshëm për të gjithë botën dhe jo vetëm për Izraelin. Irani thotë se do ta fshijë Izraelin nga faqja e dheut, mendoni se ç’do të bënte po të kishte fuqi bërthamore”, ka thënë Grossman.
Gjatë intervistës, shkrimtari ka përmendur qëndrimet e përafruara mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke kujtuar deklaratën e presidentit Barack Obama se, për Iranin të gjitha opsionet janë të hapura, edhe ai ushtarak.
Një libër i shkruar nga Daivd Grossman, që trajton problematikat në rajonin e Lindjes së Mesme, do të vijë së shpejti i publikuar edhe në shqip.
Shkrimtari është fitues i një seri çmimesh letrare, ndërkohë që disa nga veprat e tij, fiction dhe jo vetëm, janë përkthyer në 30 gjuhë të botës.
Top Channel