Emisioni “Fiks fare” ka sjellë në puntatën e së hënës pamje nga masakra që po u bëhet shtrateve të lumenjve të Drinit, atij të Bërdicës dhe lumit Devoll.
Pavarësisht vendimit të Këshillit Kombëtar të Ujit që ndalon gërryrjen e shtretërve të lumenjve në këtë periudhe të vitit, masakra vazhdon sërish më të njëjtin ritëm.
Më herët gjatë muajit emisioni investigativ denoncoi se si Termocentrali i Fierit, një pronë shtetërore, është vënë në konservim në pritje të një ankandi për ta shitur çdo pjesë të tij për skrap.
Paratë e fituara do të kalonin në buxhetin e shtetit, por nuk ishin të këtij mendimi administratorët e sapoemëruar të TEC-it, të cilët ose janë organizatorët e vjedhjes që po ndodh prej disa javësh në këtë TEC, ose janë përgjegjësit se nuk kanë penguar grabitjen.
Disa javë më parë në TEC nisi puna për marrjen e skrapit dhe shitjen e tij në një pikë grumbullimi private. “Fiks Fare” zbuloi në investigimin disaditor mënyrën se si TEC-i po grabitet edhe sot.
Ndërsa në shkurt, emisioni tregoi se sa është e vështirë të marrësh pasaportë biometrike kur je emigrant jashtë shtetit. “Fiksi” denoncoi se emigrantët shqiptarë paguajnë 50 euro sekserët e ambasadave për të siguruar lehtësi në marrjen e dokumentit, apo për ta marrë atë sa më shpejt.
Top Channel