Të shtunën, nga shtëpia e “Big Brother” u largua Ermira Kaso. Ajo ishte e pranishme të hënën në studion e “Pasdites”, për të rrëfyer mbi përvojën e saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Gjithashtu, Ermira u ndal në intervistën e saj në studion ku ishte i pranishëm edhe gazetari Flavio Qarri, i vendosur në rolin e kritikut, edhe në intrigat, miqësitë, vlerat e banorëve, si dhe në planet e saj pas daljes.
Emisioni i Pasdites – Ermira, cilat janë komentet që ke marrë? Çfarë të kanë thënë njerëzit në përgjithësi?
Ermira – Në fakt, realisht u befasova me daljen time. Ishin të shumtë ata që më kanë thënë se nuk e prisnin që të dilja dhe madje as unë nuk e prisja që të isha midis gjashtë nominimeve ai me më pak preferenca. Duke parë personazhet në nominim, mendoja se do të lija 2-3 pas. Të paktën mendoja se do lija pas Anilën dhe Lorenën.
Pasdite – Po përse mendoje se do të lije pas të paktën njërën midis Anilës dhe Lorenës?
Ermira – Kisha disa cilësi të spikatura dhe një personalitet ndryshe, kisha formim në art dhe ekonomi, ndaja mendimet, komunikoja me të gjithë, mundohesha të krijoja ilaritet në shumë situata… Për të gjitha këto mendoja se do të qëndroja.
Pasdite – Patët një incident brenda shtëpisë, kur reaguat keq me një shaka që ju bënë me krevatin tuaj. Duket se kjo ju ka kushtuar shumë më pas.
Ermira – Është e vërtetë që më kushtoi dhe më erdhi keq sepse ajo shaka ndodhi në një ditë jo, sepse në përgjithësi jam në gjendje të mbaj shakatë. Duke qenë se hyra në shtëpi me vonesë dhe dollapet ishin zënë, ishte pikërisht krevati ku lija edhe robat e mia. Ishte vendi më intim, më morën parfumin, tentuan të më lëviznin krevatin, më hoqën dyshekun, këpucët mbi krevat, kështu që provokuan një nervozizëm të madh tek unë. Ishte një ditë jo sepse kthehesha nga turni si gardiane e burgut, të burgosurit nuk ishin mirë dhe ndonëse mund të bënim gjëra të tjera në shtëpi, doja vetëm të shkoja dhe të flija. Është e vërtetë që kisha një predispozotë për t’u larguar nga shtëpia sepse duke studiuar terrenin, e pashë që nuk e fitoja dot lojën. Për të fituar, duhet që fjalën e fundit duhet ta thoje të parën dhe pastaj të llogarisje një kundërpërgjigje, që kishte një kosto që nuk mund të pranoja sepse më shumë humbisje se sa fitoje.
Pasdite – Çfarë do të ndodhë tashmë me jetën tënde jashtë Big Brother?
Ermira – Jeta vazhdon si gjithmonë. Nuk kam parë me vëmendje se si pritem në rrugë, por dola sot e piva një kafe me miqtë në mëngjes. Jam njeri që më pëlqejnë fytyrat dhe lëvizshmëria, por jo se aty brenda përjetova një situatë të keqe, madje u ndieva rehat dhe mendoja të rija më shumë si në shtëpi dhe të ndikohesha sa më pak nga kamerat.
Pasdite – Cili ishte takimi i parë për ju jashtë shtëpisë?
Ermira – Jashtë më priste ime më, tezja dhe vajza e saj…Vetëm më pas takova të dashurin dhe jo në fillim siç është thënë.
Pasdite – E vërtetë ajo që është shkruar se ai kërkoi që ju të dilnit nga Big Brother?
Ermira – Ai s’kishte kërkuar të dilja nga BB, nuk ishte një titull i vërtetë dhe nuk ishte titull për t’u vënë, por besoj se nuk ka ndonjë rëndësi tani. Nuk e kam thënë asnjëherë që ai donte të dilja, madje më përkrahu brenda. E vetmja gjë që më kërkoi ishte të thoja përpara banorëve se unë kisha një lidhje jashtë shtëpisë.
Pasdite – Tentuam ta merrnim edhe atë në intervistë, por ai nuk pranoi të fliste përpara një kamere. Duhet të jetë e vështirë për një njeri që nuk e pëlqen vëmendjen publike që të pranojë famën tënde.
Ermira – Unë nuk e konsideroj veten një njeri të famshëm. Për aq sa kam qenë në Big Brother, mbase fytyra ime ka mbetur në mendjen e disa personave më shumë, por vetëm kaq. E konsideroj veten një njeri krejtësisht të zakonshëm, një më shumë kur kaloj në rrugë.
Top Channel