Alarme për bombë në Milano, evakuohen gjashtë qendra tregtare pas një emaili kërcënues
Forcat Ajrore Britanike janë duke realizuar misione që simulojnë një sulm mbi disa baza kryesore argjentinase, zbuloi ditën e hënë një artikull i “Daily Mail”, i cili pritet të tensionojë edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të irrituara midis Londrës dhe Buenos Airesit.
Në muajt e fundit, ndërsa po afron 30-vjetori i betejës së ishujve Falklands në vitin 1982, këto dy shtete janë përfshirë nga një konflikt gjithmonë e më i ashpër diplomatik e verbal, që ka dëmtuar marrëdhëniet ekonomike dhe ka çuar në shpalljen e një bllokade për të gjithë anijet britanike në portet argjentinase.
Një tentativë e Argjentinës për të sfiduar sovranitetin e ishujve në OKB u rrëzua më parë gjatë vitit nga vetoja e Londrës, por kjo nuk e ka penguar presidenten De Kirchner që të vazhdojë retorikën e saj nacionalistëve ndaj ishujve të quajtur në spanjisht Malvinas, pjesë e kurorës së Mbretërisë së Bashkuar, ndonëse ndodhen vetëm disa dhjetëra kilometra nga territori i shtetit amerikanojugor.
Në një mision që duhet të mbetej sekret, “Daily Mail” raportoi se disa skuadra të përbërë nga pilotë veteranë janë duke u stërvitur natën, në kushte që simulojnë fluturimin në thellësi të territorit argjentinas dhe bombardimin e disa bazave të fortifikuara.
Është e qartë se qëllimi i vetëm i misioneve të tilla është që ushtria të mos gjendet e papërgatitur, nëse kriza do të përshkallëzohet në veprime ushtarake.
Argjentina realizoi një pushtim afatshkurtër të ishujve gjatë regjimit të juntës ushtarake të Galtierit në vitin 1982, por reagimi energjik i ushtrisë britanike dhe kryeministres Thatcher solli tërheqjen e trupave brenda disa muajve, në një konflikt që i mori jetën më shumë se një mijë ushtarëve nga të dyja palët.
Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, së bashku me territorin e Falklands. Megjithatë, Britania pushtoi ishujt në vitin 1831 dhe që prej atëherë, Falklands dhe disa arkipelage të tjerë pranë Argjentinës i përkasin Britanisë.
Top Channel