Sarajeva zyrtare nuk i ka premtuar mbështetje Beogradit për kandidaturën e Vuk Jeremiç, për postin e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i BeH, Zllatko Llagumxhija vizitoi në ditët e fundit Serbinë, por përsa i përket kësaj çështjeje ai tha se do të shqyrtohet nga institucionet kompetente të vendit të tij.

Lajmi është konfirmuar ndërkohë nga vetë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili u takua kokë më kokë me homologun boshnjak gjatë vizitës së këtij të fundit.

“Gjatë vizitës së tij në Beograd i kemi kërkuar zyrtarisht mbështetjen, por ai ka thënë se kërkesa do të shqyrtohet nga institucionet përkatëse të Bosnjës”, ka deklaruar Jeremiç për mediat serbe.

Gjithësesi, Jeremiç ka shprehur besimin e tij se kandidatura e Serbisë do të ketë sukses në garën për presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Megjithatë, duhet pritur vendimi”, ka thënë ai.

Rival i Jeremiç në këtë proçes është ambasadori i Lituanisë në OKB. Ndërkohë, funksionin e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme aktualisht e mban përfaqësuesi i Katarit, Nasir Abdulaziz al Nase.

Top Channel