Shefi i delegacionit të BE-së në Beograd, Vensan Dezher ka deklaruar se hapi i ardhshëm i Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga vijimi i dialogut me Kosovën.

Duke folur në një konferencë për shtyp në kryeqytetin serb, Dezher ka nënvizuar se përveç dialogut, qeveria serbe duhet të realizojë edhe reformat, në mënyrë që të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

“Me kandidaturën kemi bërë një hap të madh, ndërsa hapi i ardhshëm është fillimi i negociatave për anëtarësim. Dhe sa i përket kësaj, e dimë që nevojitet vazhdimi i dialogut me Prishtinën për temat si energjitika dhe telekomnikacioni”, ka thënë Dezher.

Diplomati evropian ka theksuar më tej se është gjithashtu e nevojshme që të respektohen marrëveshjet e arritura deri tani mes Prishtinës dhe Beogradit.

Deri tani marrëveshja e arritur në shkurt për përfaqësimin e Kosovës me një fusnotë në nismat rajonale nuk është respektuar.

Kjo pasi Kosova u la jashtë dy samiteve të zhvilluara së fundmi, njëri në Beograd dhe një tjetër në Shkup, me autoritetet serbe që pretendonin se vendi nuk po paraqitej sipas kritereve të marrëveshjes.

Ndërsa Serbia bojkotoi një samit në Mal të Zi, pikërisht për shkak të pranisë së Kosovës, të cilën ajo e cilësoi si të papranueshme.

Qeveria serbe ka miratuar një udhëzim, sipas të cilit të gjithë anëtarët e delegacioneve serbe para samiteve duhet të deklarojnë se pjesëmarrja e Prishtinës është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe se Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.

Vetë Brukseli zyrtar deklaroi disa ditë më parë se nuk mban asnjë përgjegjësi përsa i përket zbatimit të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Top Channel