Afganistan, rikthehen sulmet e militantëve ushtarë

26/03/2012 16:05

Dy ushtarë britanikë, pjestarë të forcave të NATO-s në Afganistan, mbetën të vrarë ditën e hënë, pasi një antar i ushtrisë afgane hapi zjarr ndaj tyre.

Lajmi u konfirmua nga Ministria Britanike e Mbrojtjes. Vrasësi, i cili besohet se ishte një militant i infiltruar, u qëllua dhe u vra nga ushtarët e tjerë afganë të togës së tij.

Më parë gjatë shkurtit, në një incident të ngjashëm, pasi një militant i infiltruar në radhët e policsë hapi zjarr, gjeti vdekjen kapiteni shqiptar Feti Vogli dhe u plagos rreshteri i këmbësorisë, Aleksandër Peçi.

Pas kësaj fatkeqësie, numri i përgjithshëm i ushtarëve britanikë të vrarë në Afganistan që prej fillimit të misionit në vitin 2001 ka shkuar në 407. Numri total i të vrarëve midis radhëve të NATO-s është pothuajse 3 mijë, ndërsa mbi 22 mijë ushtarë janë plagosur në këtë dekadë.

Sulmi ndaj ushtarëve britanikë vjen pasi një ushtar amerikan hapi zjarr mbi një turmë civilësh, në një moment paqëndrueshmërie mendore, duke vrarë 17 civilë afganë.

Incidenti ka bërë që marrëdhëniet midis Afganistanit dhe NATO-s të prekin një pikë të ulët historike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA