Këshilli i Prokurorisë i mbledhur për të shqyrtuar raportin e Ministrisë së Drejtësisë, dërguar në Kuvend, ka akuzuar se janë manipuluar statistikat për vitin 2011.
Në deklaratën e këtij këshilli thuhet se, terminologjia e përdorur në këtë raport si “…sulmon drejtpërdrejtë dhe në mënyrë më agresive sigurinë publike të qytetarëve”. “…asgjëson qëllimet e dënimit penal”. “…minon besimin publik tek efektiviteti i ndjekjes penale”, e kordinuar kjo me manipulim të shifrave jo vetëm të statistikës së prokurorisë por edhe të përqindjeve të prokurorive të kontrolluara të shkallës së parë, tregojnë qartë mosprofesionalizëm të kontrolleve si dhe një tendence për sense negative, duke devijuar nga fryma e ligjit.
Këshilli ka kundërshtuar pothuajse të gjitha pikat e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë duke sqaruar se, për sa i takon politikës së dënimit, Ministria ja ka faturuar Prokurorisë, ku në fakt nuk është prokuroria që bën politikën e dënimit, por gjykatat me vendimet e tyre bëjnë politikën e dënimit në tërësi dhe për vepra penale në vecanti.
Gjithashtu edhe për procedimet pasurore këshilli deklaroi se këto hetime nuk janë hetime penale, kështu kurrsesi nuk mund të gjykohen dhe vlerësohen nga ministria.
Ministria e Drejtësisë ka përgjithësuar faktet duke i ngritur deri në rangun e rekomandimeve, vetëm duke u mbështetur në, kontrollin e 121 procedimeve penale, dhe ky kampion i përdorur përbën vetëm 0.04 % të procedimeve të hetuara.
Anëtarët e këshillit kanë vërejtur se janë dhënë konkluzione për ligjshmërinë e vendimeve të mosfillimit, vendimeve të pushimit, vendimeve të dërgimit në gjykim dhe të regjistrimit të procedimeve penale, duke dalë jashtë kontekstit të nenit 56, pasi për ligjshmërinë e vendimarrjes së prokurorëve vendosin gjykata ose prokurori më i lartë.
Në fillim të kësaj mbledhjeje, prej anëtarëve u diskutua për procedurë në lidhje me shqyrtimin e këtij raporti, pasi përfaqesuesja e Ministrisë së Drejtësisë pretendonte se raporti duhet të diskutohet vetëm nga Kuvendi.
Sipas këshillit në bazë të ligjit për organizimin e Prokurorisë përcaktohet qartë kompetenca e Këshillit të Prokurorisë për të marrë në shqyrtim dhe dhënë vlerësime mbi aktet e inspektimeve të Ministrisë së Drejtësisë.
Reagon Ministria e Drejtësisë
Pas deklaratës së Këshillit të Prokurorisë reagoi edhe Ministria e Drejtësisë. Ajo mbështet shqetësimin publik në rritje për përgjegjshmërinë e institucioneve të drejtësisë, ndaj ligjit dhe Kushtetutës , thuhet në një deklaratë të saj.
“Ministria e Drejtësisë rikonfirmon besimin se parimi i ndarjes së pushteteve, nuk duhet kuptuar që çdo pushtet të jetë i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush”, thuhet në deklaratë. “Neni 148 i Kushtetutës përcakton prokurorinë si organin e vetëm kushtetues, që ka mision të ushtrojë ndjekjen penale e të marrë në mbrojtje liritë e të drejtat e shtetasve që cënohen nga kryerja e veprave penale”, vazhdon deklarata.
“Ushtrimi i këtij funksioni në mënyrë të pakontrolluar dhe në mënyrë të pavarur nga Kushtetuta dhe ligjet rrezikon interesin publik dhe shoqërinë në tërësi. Për të evituar këtë të fundit funksionojnë mekanizmat e kontrollit konkret të Ministrit të Drejtësisë”, shkruhet më tej në deklaratë.
“Në këtë kontekst, reagimi në media për herë të dytë i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, duke përdorur si Shoqatën e Prokurorëve, ashtu edhe Këshillin e Prokurorisë, bie ndesh jo vetëm me situatën e fakteve, por edhe me besimin publik tek organi i ndjekjes penale”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.
Më tej në deklaratë kundërshtohen me të dhëna, pretendimet e Prokurorisë mbi pavërtetësinë dhe manipulimin e statistikave në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.
“Ministri i Drejtësisë rikonfirmon qëndrimin se veprimtaria e Ministrisë së Drejtësisë është e orientuar për respektimin e shtetit të së drejtës ku sundon ligji. Për këtë qëllim, kërkohet më shumë seriozitet dhe angazhim për evidentimin dhe ndjekjen e koordinuar të rasteve të shkeljes së ligjit, të cilat ndonëse në pamje të parë mund të duken si shkelje formale, në fakt përbëjnë një tregues të rëndësishëm për rritjen e cilësisë së drejtësisë”, përfundon deklarata e Ministrisë së Drejtësisë.
Top Channel