Egjipt, futbolli rikthen trazirat, policia në alarm

25/03/2012 08:35

Një djalë 13-vjeçar është qëlluar për vdekje në qytetin egjiptian të Port Saidit, në trazirat e shkaktuar rishtaz nga fansat e futbollit.

Ekipi i qytetit, Al-Masry, u përjashtua nga kampionati kombëtar ditën e shtunë, pasi tifozët vendas u konsideruan përgjegjës për incidentin e ndodhur në shkurt, kur gjatë një zënke në stadium me rivalët kundërshtarë, mbetën të vdekur 74 persona.

Vendimi i Federatës detyron skuadrën e qytetit, një prej më populloreve në vend, që të mos marrë pjesë në asnjë kompeticion futbollistik deri në vitin e ardhshëm.

Një hetim kriminal për tragjedinë është në vazhdim, ndërsa mbi 75 urdhëra arresti janë lëshuar.

Sipas një agjensie vendase, 13-vjeçari u qëllua me pistoletë pas shpine, ndërsa dy persona të tjerë janë dërguar në spital në gjendje kritike, pasi një turmë e egërsuar prej mijëra personazh doli në rrugët kryesore të Port Saidit, për të protestuar.

Mediat kanë raportuar për veprime të përhapura huliganizmi gjatë së shtunës, ndërsa të shtëna me armë janë dëgjuar. Burime policore bënë me dije se situata mbetet e tensionuar edhe ditën e dielë, ndërsa forca shtesë ushtarake janë zhvendosur në qytet për t’i bërë ballë çdo të papriture.

Top Channel