Dhjetëra qytetarë të indinjuar, midis tyre edhe pensionistë janë përpjekur të cajnë rrethin e forcave të Rendit në Athinë, për të protestuar para krerëve të shtetit grek për masat e rrepta antikrizë dhe reduktimin e rrogave dhe pensioneve, pikërisht përgjatë zhvillimit të paradës ushtarake me rastin e festës kombëtare të 25 Marsit, Dita e Pavarësisë si dhe një prej festave të mëdha të ortodoksisë.

Por forcat e policisë i kanë shpërndarë ata, ndërsa kanë shoqëruar në rajone më shumë se 25 persona.

Ndërkohë parada ushtarake e zhvilluar nën masat më të rrepta që ka janë ndonjëherë me mbi 7000 policë në gadishmëri, ka zgjatur vetëm 30 minuta, pa mjetet e rënda të ushtrisë për arsye të shpenzimeve dhe pa pjesëmarrje të lartë të qytetarëve.

“Masat e policisë janë pjesë e pandarë e masave shtrënguese, sepse me gjithë këto masa demokracia po vdes. Dhe ajo cka mund të bëjmë për ta mbajtur gjallë demokracinë është që të luftojmë të gjithë për këtë”, tha Petros Constantinou, protestues.

Presidenti grek Karolos Papulias ka shprehur edhe njëhere nevojën e unitetit kombëtar. Duke bërë paralelizimin me revolucionin e dy shekujve më parë Papulias ka thënë se edhe atëherë askush nga Europa e civilizuar nuk mund të besonte se grekët këmbëzbathur mund të dëbonin një perandori dhe të fitonin pavarësinë.

“Do ta vazhdojme këtë betejë dhe do të dalim fitimtare në fund. Greqia nuk e meriton këtë sjellje të europianeve”, ka deklaruar ai.

Në të njëjtën frymë kanë qënë edhe deklaratat e kryeministrit Papadhimos që ka bërë thirrje për një betejë me synim rimëkëmbjen e ekonomisë.

Në paradë nuk kanë marrë pjesë në shenjë proteste invalidët dhe të afërmit e viktimave të luftës.

Incidente të ngjashme ku qytetarë të indinjuar kanë hedhur parrulla kundër politikanëve grekë, janë zhvilluar në qytetet e Selanikut, ku polica ka shoqëruar mbi 40 persona, të Ksanthit, Patrës dhe të Kozanit, ndërsa në Iraklio dhe Hania të Kretës konfrontimet me forcat e rendit dhe përdorimi i bombave me gaz lotsjellës kanë bërë që gjithë të pranishmit të largohen dhe paradat të anullohet përfundimisht.

Top Channel