Mijëra punëtorë dhe makineri të rënda janë vënë sërish në funksion, për vazhdimin e ndërtimit të pjesës së mbetur të autostradës “Ibrahim Rugova”, që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Moti i keq në Kosovë kishte minimizuar për një muaj punimet, të cilat rifilluan me intensitet maksimal javë më parë me përmirësimin e kohës. Përgatitja e terrenit dhe ndërtimi i urave është puna që po bëhet 24 orë në ditë, në një gjatësi prej 26 kilometrash që prekin komunën e Malishevës dhe të Rahovecit, deri në lidhjen me magjistralen Prishtinë – Pejë, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit kosovar.

Të shtunën, në përvjetorin e 13 të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi ushtrinë serbe, këtë pjesë e vizitoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Sot, secili qytetar i Kosovës, për një moment mendon se ku ishim 13 vite më herët dhe ku jemi sot. Punuam shumë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës dhe sot kjo është pamja më e mirë, këtu ku jemi, ndërsa po punojmë shumë për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, për Kosovën e re, për Kosovën europiane”, deklaroi kryeministri.

Thaçi, i cili nuk mori pyetje jashtë axhendës, kur u pyet nëse do të mund të përurohen këto kilometra me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, dha këtë përgjigje: “Kam besim të plotë se gjithçka do të shkojë sipas axhendës së planifikuar. Por, ku njeriu bën punë të mirë atëherë edhe Zoti është me të. Kështu që kam besim të plotë se edhe koha do të jetë e mirë”.

Nëntorin e vitit të kaluar, u patën përuruar 38 kilometrat e para të autostradës dhe ishte vlerësuar si “një vepër që bashkon shqiptarët më shumë se kurrë”.

Top Channel