Çështja siriane, Annan mbërrin në Moskë

25/03/2012 14:20

I dërguar i Organizatës së Kombeve të Bashkura në Siri, Kofi Annan, mbërriti të dielë në Moskë, për t’i paraqitur autoriteve ruse planin e tij e tij të paqes.

Ndërkohë, në përleshjet që vazhdojnë, 24 persona humbën jetën në orët e para të ditës në vendin arab. Annan do të përpiqet të gjejë një mbështetje nga Rusia, përpara se të udhëtojë javën e ardhshme në Kinë, në superfuqinë e dytë me të drejtë veto që ka bllokuar rezolutat e mëparshme kundër regjimit të al-Assad.

Plani duhet të marrë aprovomin e Këshillit të Sigurimit në OKB për të hyrë në fuqi dhe Uashingtoni dëshiron të ketë garanci paraprake që ai do të aprovohet, përpara se të paraqitet në punime.

Ndërkohë, disa dhjetëra të vdekur janë regjistruar në Homs, vatër e rebelimit, ku luftimet tashmë vazhdojnë prej javësh.

“Bombardimi me artileri nisi si çdo mëngjes, pa asnjë arsye”, deklaroi një rebel i ndodhur në lagjen Bab Sbaa të Homsit për “Reuters”, nëpërmjet “Skype”. “Trupat qeveritare janë duke përdorur tanke dhe mortaja, me të cilat godasin lagjet më të populluara të qytetit”.

Sipas rebelit, shumica e banorëve janë larguar nëpër lagje më të sigurta, ndërsa me qindra qytetarë të Homsit, midis të cilëve shumë gra dhe fëmijë, po përpiqen të çajnë rrethimin dhe të arratisen nga qyteti.

Thëniet e tij janë të pamundur për t’u verifikuar, pasi media ndërkombëtare përballet me kufizime të mëdha në punën e saj në Siri.

Top Channel