Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski ka deklaruar se marrëdhëniet me parnerin qeveritar shqiptar, BDI, janë mëse normale.

Në një intervistë për një gazetë lokale, e njohur për linjën editoriale pro-qeverisë, Gruevski ka nënvizuar se ka edhe çështje për të cilat palët nuk bien dakord dhe diskutojnë.

“Marrëdhëniet tona në thelb janë ashtu siç kanë qenë më parë, normale. Kur ka disa çështje për të cilat nuk biem dakord, ulemi dhe bisedojmë. Ne kemi një program qeverie dhe jemi një parti që atë që premton synon ta realizojë në mënyrë strikte”, ka thënë Gruevski.

Kryetari i VMRO-DPMNE është shprehur se komunikimet me BDI-në janë në nivele të ndryshme, në vartësi të problemeve apo çështjeve që krijohen.

Përsa i përket kontestit të emrit dhe samitit të NATO-s në Çikago, Gruevski ka akuzuar Greqinë se nuk po tregon vullnet për zgjidhjen e çështjes dhe është shprehur skeptik për mundësinë e zgjerimit të Aleancës me vendin e tij.

Dy ditë më parë, për shkak të incidenteve të fundit ndëretnike, Gruevski u përplas në Kuvend me deputetin e PDSH-së, Zijadin Sela, i cili e akuzoi kryeministrin se, “i ka duart me gjak shqiptar”.

Incidentet në fjalë janë cilësuar nga analisti Janush Bugajski si rreziku më i madh që i kanoset Maqedonisë, i cili mund të kulmojë me ndarjen e vendit.

Top Channel