Francë, Shërbimet Sekrete nën akuzë

23/03/2012 08:30

Franca përballet me një presion të brendshëm në rritje për të hetuar mbi efikasitetin e shërbimeve të saj inteligjente, pasi një vrasës i vetëm arriti të godiste tre herë, duke i marrë jetën shtatë personave, përpara se të zbulohej.

Mohammed Merah, i cili u vetëcilësua si një antar i al-Kaedës, u vra ditën e mërkurë nga një snajper i policisë në Tuluzë, duke i dhënë kështu fund një rrethimi 32 orësh.

Mediat franceze zbuluan të premten se 23-vjeçari ishte i përfshirë në “listën e zezë” të fluturimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet ku i ndalohej hyrja. Si rrjedhojë, ai konsiderohej nën mbikqyrje edhe nga Shërbimet Sekrete Franceze dhe policia.

Ditën e enjte, një zyrtar i policisë konfirmoi se atentatori ishte në fakt nën vëzhgim, por nuk dha informacione të mëtejshme.

Në tre atentate të ndryshme, përfshi njërin në një shkollë hebrehe, Merah vrau tre ushtarë jashtë detyre, tre fëmijë dhe një mësues. Sipas tij, sulmet ishin një mënyrë për “t’u hakmarrë” për vuajtjet e fëmijëve palestinezë dhe arabë, shkaktuar edhe nga ndihma e ushtrisë franceze në misione të ndryshme nëpër botë.

Merah iu kërkua disa herë të dorëzohej përpara se të qëllohej për vdekje, por ashtu si shumë pjestarë të tjerë të al-Kaedës dhe grupeve të tjera të ngjashme, ai zgjodhi vdekjen, ndikuar nga besimi se në këtë mënyrë po shndërrohej në një martir.

Në përgjigje të kritikave të ardhur nga brenda vendit për punën joefikase të shërbimeve të inteligjencës, Ministri i Jashtëm, Alain Juppe u shpreh: “Mund të kuptoj njerëzit që ngrenë pyetje mbi dështimet e inteligjencës. Kjo është një çështje që do të dojë disa kohë të qartësohet”.

Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm, Claude Gueant, mbroi punën e Shërbimeve Sekrete, duke thënë se ato janë vendosur në ndjekje të shumë ekstremistëve dhe se rasti i Merah ishte një episod i izoluar dhe shumë i vështirë për t’u parashikuar.

Sulmet e Merah erdhën në një moment shumë të papërshtatshëm për presidentin Nicolas Sarkozy dhe dëmtojnë shanset e tij për t’u rizgjedhur vetëm një muaj nga zgjedhjet presidenciale, që zhvillohen në dy raunde, në 22 prill dhe 6 maj.

Top Channel