Avokati i Popullit dhe Aleanca Kundër Diskriminimit kanë dënuar
qëndrimin e zëvendësministrit të Mbrojtjes Ekrem Spahia, lidhur me
festivalin e paralajmëruar të grupit LTGB, lesbike, gei, bisekusualë dhe
transgjinorë, i cili do të mbahet më 17 maj.

Gazeta Shqiptare ka pyetur disa aktiviste të të drejtave të njeriut dhe mes tyre është edhe zotin Spahiu për qëndrimin ndaj kësaj lëvizjeje dhe zëvendësministri i Mbrojtjes ka pohuar se nuk ka ndonjë koment tjetër për ta, vetëm t’i ‘kapë në hu’. “‘Hu’ është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe shkopij gome”- ka sqaruar Spahia.

Zyra e Avokatit të Popullit e ka dënuar këtë qëndrim dhe zotit Ekrem Spahia i sygjeroi të kërkojë ndjesë publike.

“Avokati i Popullit i kërkon këtij zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike, nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë dhe pjesërisht e vërtetë. Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerancës bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Përveç kësaj, deklarata të tilla nxisin dhunën dhe urrejtjen, duke përbërë kështu edhe një vepër penale “, tha zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Elona Demollari.

Kjo deklaratë e zevendësministrit të Mbrojtjes është kundërshtuar edhe nga Komisionerja për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, Irma Baraku, por edhe nga përfqësuesit e Aleancës Kundër Diskriminimit.

“Zyra e Komisionerit reagon nëpërmjet kësaj deklarate. Normalisht duke mbajtur një qëndrim ligjor reagon përmes deklaratës, por reagon edhe në mënyrë institucionale përmes nisjes së një hetimi, mbi bazën e të cilit ne do të konkludojmë me një rekomandim ose jo, në varësi vërtetimit të fakteve”, tha Baraku.

“Duam t’i kujtojmë zotit Ekrem Spahia, por me këtë rast përmes tij edhe shumë funksionarëve të lartë të shtetit, që deklarata të tilla shkelin nenin 266 të Kodit Penal, i cili parashikon, që nxitja e urrejtjes dhe prishja e paqes publike përmes deklaratave që nxisin dhunë apo që frymëzojnë urrejtje, dënohet deri në 5 vjet burg. Ne jemi të vendosur që këtë kërkesë edhe këtë nen specifik të Kodit Penal, të kërkojmë që të zbatohet edhe drejtësia të vihet në vend”, thotë Kristi Pinderi, nga Aleanca Kundër Diskriminimit.

Zyra e Komisioneres ka nisur hetimin ndaj zëvendëseministrit të Mbrojtjes mbi këto deklarata, të cilat nxisin dhunën dhe urrejtjen.
 

Top Channel