Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Janush Bugajski vlerëson se rritja e incidenteve ndëretnike në Maqedoni përbën rrezikun më të madh që i kanoset këtij vendi.

Në një analizë të tijën, Bugajski deklaron se 10 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në Maqedoni po rritet pakënaqësia ndaj kushteve politike dhe ekonomike në radhët e komunitetit shqiptar.

“Rreziku më i madh me të cilin ballafaqohet Maqedonia nuk është çështja e pazgjidhur e emrit dhe as mbetja jashtë NATO-s në samitin e Çikagos, por marrëdhëniet ndëretnike në vend”, shprehet Bugajski, i cili e ka cilësuar këtë problem si “minë me sahat”.

“Një konflikt i tillë mund të kulmojë me ndarje territoriale. Nëse programi për rilindje kombëtare, që financohet nga shteti, realizohet edhe me çmimin e integrimit në NATO dhe BE, kjo mund të delegjitimojë shtetin tek shqiptarët”, shkruan Bugajski.

Duke kujtuar se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë gati një të tretën e popullsisë, analisti i njohur rendit edhe shkaqet e rënies eventuale të legjitimitetit të shtetit tek shqiptarët.

“Mes këtyre faktorëve janë rritja e nacionalizmit sllavo-maqedonas, ndikimi në rritje i Kishës Ortodokse maqedonase, dobësimi i pavarësisë së mediave dhe gjyqësorit, kufizimi i numrit të shqiptarëve në poste të larta shtetërore dhe kufizimi i përdorimit të gjuhës shqipe”, nënvizon Bugajski.

Këto vlerësime analisti amerikan i ka bërë pas vizitës së fundit në Maqedoni, ku u takua me zyrtarë të shumtë, mes të cilëve edhe liderët politikë shqiptarë.

Ai rikujton se përpjekjet e Shkupit për të nxjerrë maqedonasit si pasardhës të drejtpërdrejtë të maqedonasve antikë kanë acaruar Athinën, ndërkohë që shton se liderët shqiptarë e konsiderojnë Aleksandrin e Madh me prejardhje ilire.

Top Channel