Breivik, debate për ligjin në Norvegji

23/03/2012 21:45

Në Norvegji po shqyrtohet me ngut projekt/ligji që do të mundësonte që Anders Behring Breivik të mbahej në një spital të ri të sigurisë së lartë nëse gjykata e shpall atë të paaftë mendërisht.

Ky projekt/ligj për shëndetin mendor ka qenë në hartim që prej vitit 2010. Por, pas sulmeve të 22 korrikut të kaluar, proçesi u përshpejtua dhe çoi në një rishikim urgjent të sistemit shëndetësor, me vëmendje të veçantë për pacientët e dhunshëm dhe të rrezikshëm.

Ministrja norvegjeze e Shëndetësisë, Anne Grete Stroem Erichsen thotë se qeverisë i duhet të veprojë përpara se Breivik të dalë në gjyq.

“Është detyra ime të sigurohem që të kemi ligjin për kujdesin e shëndetit mendor, në mënyrë që të mbrojmë këdo që s’është i sigurtë”, deklaroi ministrja.

Ligji është projektuar për të përcaktuar kujdesin të cilit do t’i nënshtrohet Breivik, në rast se gjykata e shpall atë të paaftë mendërisht.

Ligji do t’u lejonte pacientëve të mbylleshin në izolim për aq kohë sa policia do të mendonte se, “ata ishin në rrezik të sulmoheshin nga dikush që kërkonte hakmarrje”.

Pacientët nuk do të mbaheshin në të njëjtën njësi për më shumë se gjashtë muaj. Pas kësaj periudhe, stafit mjekësor do t’i duhej të zgjaste qëndrimin, ose ta transferonte pacientin në një njësi tjetër.

Gjithashtu, projekt/ligji thotë se ligji do të aplikohet në rrethana të veçanta në rast se një pacient mund të ketë kryer akte të rënda dhune, si vrasje masive.

Çështja e Breivik vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Norvegji. Disa ditë më parë shërbimet sekrete të Norvegjisë, PST, paralajmëruan për mundësinë e përsëritjes së sulmeve si ai i korrikut 2011, ku mbetën të vrarë 77 persona.

Ndërsa më herët gjatë muajit, policia norvegjeze pranoi për herë të parë se mund të kishte vepruar më shpejt për të neutralizuar Anders Behring Breivik.

Breivik, i cili ka pranuar vrasjen e 77 personave dhe plagosjen e 151 të tjerëve, është ngarkuar zyrtarisht me akuzën e terrorizmit.

Top Channel