Zbulohen pesë trupa në “Costa Concordia”

22/03/2012 19:50

Më shumë se dy muaj pasi kryqëzori turistik “Costa Concordia” u fundos në ujra të cekët pranë bregdetit Italian, pesë trupa të pajetë u zbuluan ditën e enjte.

Ishte një trupë polumbarësh ajo që zbuloi trupat në një zhytje rutinë. Sipas mediave italiane, të ndjerët ndodheshin në një pjesë të anijes që kishte qenë veçanërisht e vështirë për t’u arrritur.

Së bashku me të pesë trupat, numri total i viktimave të zbuluar shkoi në 30 persona, ndërsa dy vazhdojnë të konsiderohen të humbur.

Aksidenti i kryqëzorit turistik ndodhi në datën 13 janar, kur nga pakujdesia e kapitenit në përzgjedhjen e rrugës u goditën disa shkëmbinj nënujorë, që krijuan një të çarë prej 70 metrash e rrjedhimisht fundosjen e “Costa Concordia”-s, pranë ishullit të Xhilios.

Në momentin e aksidentit, mbi 4 200 persona ndodheshin në bord.

Top Channel