Tepelenë, priten dhjetëra hektarë pyll

22/03/2012 00:00

Qindra trungje rrapi përgjatë gjithë luginës së Vjosës janë duke u
shkaterrur prej një sëmundjeje  të panjohur të sistemit rrënjor që ka
prekur këtë lloj bimësie në të gjithë jugun e vendit.

Specialistët e mjedisit thonë se tharja dhe më pas prerja e pemëve buzëlumit ka ndryshuar ekosistemin natyror të zonës ndërsa e njëjta sëmundje kërcënon tharjen e masivit të rrapeve qindravjecarë  të Ujit të Ftohtë, masiv i shpallur  monument natyre i mbrojtur nga shteti.  

Drejtoria e Shërbimit Pyjor në Tepelenë bën me dije se ka autorizuar prerjet e pemëve që po thahen për t’u shfrytëzuar si lëndë drusore për djegie, ndërsa po hartohen projekte  për ripopollimin e zonës me bimësi të ngjashme.

Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në bimësinë lumore të zonës së Tepelenës edhe prej prerjeve pa kriter prej vetë banorëve. Rreth 40% e siperfaqes së pyjeve në Tepelenë ka kaluar nën administrimin e komunave prej dy vitesh, administrim që ka qenë mjaft problematik dhe pa plan të mirëfilltë menaxhimi. I gjithë qyteti i Tepelenës dhe fshatrat perreth ka 17 hektarë pyje prej të cilave sipërfaqja e rrapit ka një peshë të konsiderueshme.

Top Channel