Raportet Romë-Londër

22/03/2012 23:46

Jehona e blicit britanik në nigeri ku u vranë dy inxhinierët e marrë peng prej muajsh, vazhdon. Episodi rrezikoi t`i shtynte dy vendet drejt një ngërci diplomatik. Italia me të drejtë kërkoi të dinte përse nuk u informua për sulmin e befasishëm që duhet të shpëtonte britanikun Chris McManus dhe italianin franco Lamolinara, por përfundoi në tragjedi.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, Uilliam Hague ishte për një vizitë në Itali, një udhëtim që synoi pikërisht uljen e tensioneve pas blicit të dështuar të dy javëve më parë.

“Shprehim keqardhjen tonë më të thellë për atë që ndodhi. Pati zhgënjim të madh sigurisht, si në Britani ashtu edhe tek ju në Itali, është e kuptueshme për faktin që operacioni i shpëtimit të pengjeve nuk rezultoi i suksesshëm”, tha Uilliam Hague, Ministri  i Jashtëm britanik.

Dy inxhinierët e punësuar nga një kompani ndërtimi në Veri-Perëndim të Nigerisë, u rrëmbyen majin e vitit të kaluar dhe u mbajtën të sekuestruar deri përpara dy javësh, kur gjatë blicit të ushtarëve britanikë, pengmarrësit i ekzekutuan.

Liderët italianë nuk e fshehen indinjatën që u shkaktoi mosinformimi për sulmin e autorizuar nga kryeministri David Cameron me pretendimin se jetët e pengjeve ishin në rrezik.

“Nuk mund ta fsheh faktin se u ndjemë tmerrësisht të zhgënjyer nga kjo që ndodhi, që u informuam për episodin vetëm atëherë kur gjithçka kishte mbaruar. Por e kemi marrë gjithashtu në konsideratë edhe vështirësinë e situatës në terren dhe shpejtësinë me të cilën rrodhën gjërat”, tha Giulio Terzi, Ministër i Jashtëm i Italisë.

Ssipas Hague, takimi me homologun italian ka qenë i dobishëm për të dyja palët, e sidomos për rivendosjen e besimit mes tyre.

Ai përmendi edhe cështjen e Sirisë, duke u thënë reporterëve ndërkombëtarë se presioni ndaj Damaskut do të vazhdojë deri sa t’i jepet fund dhunës në këtë vend, por paralajmëroi gjithashtu se mund të duhet kohë që OKB-ja të arrijë një marrëveshje detyruese.

Top Channel