Vrasësi, Franca me frymën pezull

21/03/2012 00:00

E gjithë Franca po pret me frymën pezull dorëzimin e personit të dyshuar si autori i masakrave të fundit të regjistruara në jug të vendit.

“Duam ta shmangim sulmin përfundimtar sepse duam ta kapim të gjallë, me qëllim që të gjykohet nga një gjykatë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm francez, Claude Gueant.

Në një prononcim për edicionin e lajmeve të televizionit “TF1”, ministri ka theksuar se, “kushtet për dorëzimin e vrasësit të Tuluzës janë në diskutim e sipër”.

Më herët vrasësi, i cili duhet të dorëzohej gjatë paradites, e shtyu
për në mbrëmje dorëzimin e tij tek forcat e policisë. Lajmin e bëri
të ditur prokurori i Parisit, Francois Molins.

Ndërsa disa orë më parë, ministri i Brendshëm përgënjeshtroi lajmin se
përgjegjësi për masakrat në të cilat kanë humbur jetën shtatë persona ishte prangosur.

Në një komunikim për mediat franceze, ai mohoi versionin e përhapur më parë nga mediat ndërkombëtare, ndërsa konfirmoi se policia vazhdon të mbajë të rrethuar të dyshuarin.

Ministri konfirmoi se personi në fjalë është një shtetas francez me origjine algjeriane, 24-vjeçar, i lidhur me Al Kaeden dhe i identifikuar si Mohamed Merah.

Më parë u përfol se vrasësi u vetdorëzua, por diçka e tillë nuk rezulton të jetë e vërtetë dhe se ai ende po reziston brenda banesës së tij. Sipas mediave, besohet se i riu ka dashur të “hakmerret për fëmijët palestinezë dhe për operacionet ushtarake të Francës jashtë kufijve”, kur ka kryer atentatin në shkollë duke vrarë tre fëmijë dhe një mësues. Më parë, ai kishte vrarë edhe tre ushtarë.

Dy oficerë policie janë plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në shtëpinë e rrethuar ndërsa vëllai i të dyshuarit për vrasje është arrestuar. Edhe nëna e 24-vjeçarit është shoqëruar në komisariat, por ajo është shprehur se “ka shumë pak ndikim mbi djalin”.

“I dyshuari ka vizituar shpesh kohët e fundit Afganistanin dhe Pakistanin. Thotë se është një muxhahedin dhe është pjesë e Al Kaedës”, u shpreh ministri Claude Gueant.

Sarkozy: Vrasësi do të vriste sërish

“Vrasësi në Tuluz kishte në plan të vriste sërish”. Kështu ka deklaruar presidenti francez, Nicolas Sarkozy, duke iu drejtuar komuniteteve fetare.

Sarkozy ka mbërritur në kazermën “Perignon” të Tuluzës, që ndodhet pranë ndërtesës ku është mbyllur autori i masakrave.

Presidenti ndodhet aty pikërisht për t’u takuar me policët përgjegjës të kazermës, si dhe me disa përfaqësues të komuniteteve fetare.

Përpara se të vinte këtu, Sarkozy ishte në spitalin e Tuluzës, ku janë shtruar një ushtarak dhe një nxënës i shkollës hebraike që janë plagosur nga atentatori.

Më vonë shefi i pallatit Elize pritet të bëjë një vizitë në Montauban, për një ceremoni në nder të tre ushtarakëve të vrarë më 11 dhe 15 mars.

Në mëngjes, kreu i shtetit mblodhi në Paris disa eksponentë të komunitetit hebre dhe atij mysliman, për t’u treguar se, “terrorizmi nuk do të arrijë të ndajë komunitetin tonë kombëtar”. 

Vrasësi: Do shoh vdekjen duke buzëqeshur

“Ose do të përfundoj në burg dhe kështu mund të flas, ose do të shoh vdekjen duke i buzëqeshur”. Kështu ka thënë personi i dyshuar si autori i vrasjeve në Tuluz gjatë një bisede telefonike me një gazetare të televizionit “France 24”, Ebba Kalondo.

Telefonatën në fjalë hetuesit e kanë marrë shumë seriozisht, duke parë detajet e masakrave të referuara nga vrasësi për kryeredaktoren e transmetuesit francez.

“Gjatë bisedës ai ishte i qetë, fliste një frëngjishte të mirë dhe i shoqëronte frazat e tij me shprehje në arabisht”, ka treguar gazetarja në faqen e internetit të “France 24”.

Sipas Kalondo, ai ka dhënë informacione që diheshin vetëm nga ai dhe nga policia, si për shembull numrin e plumbave të përdorur në Tuluz dhe Montauban, llojin e armëve të përdorura dhe disa elementë të braktisur në vendin e ngjarjes.

I dyshuari ka thënë gjithashtu se është anëtar i Al Kaedës në Francë, duke paralajmëruar se: “ky është vetëm fillimi i një serie atentatesh të reja që do të kryhen së shpejti në Paris, Lion dhe Marsejë”.

“Ai tha se ishte kundër ligjit të burkës që në Francë është në fuqi prej vitit 2011 dhe se luftonte kundër operacioneve franceze në Afganistan”, ka treguar më tej gazetarja.

“Hebrejtë kanë vrarë vëllezërit tanë dhe motrat tona në Palestinë”, citohet të ketë thënë vrasësi, i cili ka njoftuar publikimin e videove të masakrave në rrjet.

Pyetjes së gazetares se çfarë do të mund të ndalte vrasjet, ai i është përgjigjur: “Ose do të shkoj në burg dhe kështu do të mund të flas, ose do të shoh vdekjen duke i buzëqeshur”. 

Top Channel