Tanket e qeverisë janë duke goditur me predha dy lagje periferike në kryeqytetin e Sirisë, Damask, lajmëruan ditën e mërkurë burime të aktivistëve.
Goditja ushtarake mbi lagjet e Hasratës dhe Irbinit, ka nisur që në orët e para të mëngjesit, si kundërpërgjigje e një sulmi të lëshuar nga rebelët mbi një ndërtesë të përdorur nga shërbimi sekret.
Raportime të pakonfirmuara si rrjedhojë e mungesës së mediave ndërkombëtare në vend flasin edhe për një ofensivë të ushtrisë në pjesë të tjera të vendit.
Më parë gjatë ditës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, paralajmëroi për pasoja serioze nëse kriza në Siri nuk do të zgjidhet. Duke folur nga një konferencë në Indonezi, ai paralajmëroi se bota nuk do të vazhdojë të bëjë sehir.
”Të gjithë kemi përgjegjësinë që të punojmë për një rezolutë që të japë zgjidhje për këtë situatë tepër të vështirë, për këtë krizë që mund të ketë rrjedhoja të rëndësishme në rajon dhe në të gjithë botën”, deklaroi Ban Ki-moon.
Këshilli i Sigurimit në OKB do të takohet në Nju Jork gjatë ditës, në përpjekje për të përpunuar një plan paqeje, që do të propozohet nga i dërguar i organizmit në Siri, Kofi Annan.
Ish-drejtuesi i OKB-së, Kofi Annan, mbërriti në vend dy javë më parë dhe u takua me përfaqësues të qeverisë dhe rebelëve, të cilëve i kërkoi një armëpushim të menjëhershëm.
Rusia, një vend që ka mbështetur regjimin e Assad duke vendosur veto kundër çdo rezolute ndëshkuese, është shprehur pro një plani humanitar, për të shpallur një armëpushim të përditshëm dy-orësh, kohë gjatë së cilës do t’i ofrohet popullsisë shërbime humanitare.
Sipas vlerësimeve zyrtare, mbi 8 mijë persona kanë gjetur vdekjen në një vit trazira në Siri, por statistika të tjera të pavarura e ngrejnë numrin deri në 15 mijë.
Spastrim etnik në qytetin e Homsit
Në qytetin sirian të Homsit po zhvillohet një spastrim etnik të të krishterëve nga anëtarët e Brigadës Faruk, e afërt me Al Kaedën dhe e përbërë nga mercenarë nga Libia dhe Iraku.
Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve “Fides”, që ka marrë sinjalizim nga Kisha Ortodokse Siriane, që përfshin 60 për qind të besimtarëve të krishterë në vendin e Lindjes së Mesme.
Nuk dihet ende nëse mercenarët në fjalë po veprojnë me “bekimin” e presidentit sirian Bashar al Assad, por nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë bëhet fjalë për një veprim të kopiuar nga ish-lideri libian Muammar Gaddafi.
Homsi konsiderohet një nga bastionet e grupeve të kryengritësve që kundërshtojnë regjimin sirian dhe ka qenë shënjestër e bombardimeve të aviacionit ushtarak.
Top Channel