Këshilltarët ilegalë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës i kanë bërë thirrje qeverisë së Beogradit që zgjedhjet lokale t’i shtrijnë edhe në territorin e Kosovës.

Pas një takimi të zhvilluar në Zveçan, ata kanë shprehur shpresën e tyre se qeveria e Serbisë nuk do të pranojë krijimin e kufirit me Kosovën, duke cilësuar si të papranueshme instalimin e pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinë.

Gjithashtu, serbët i kanë kërkuar drejtuesve të misionit EULEX që të mos punojnë në drejtim të krijimit të një shteti tjetër shqiptar në Ballkan.

Më tej, duke kujtuar rezultatet e referendumit të veriut, këshilltarët ilegalë janë shprehur se ato detyrojnë institucionet e Serbisë që të luftojnë kundër krijimit të institucioneve të “shtetit të vetëshpallur të Kosovës”.

Në referendumin e mbajtur në muajin shkurt, që u shpall i paligjshëm nga Kuvendi i Kosovës, serbët e veriut i thanë “jo” autoritetit të Prishtinës në veri të vendit.

Lidhur me zgjedhjet serbe, Policia e Kosovës njoftoi javën e kaluar nisjen e përgatitjeve për një plan operativ për parandalimin e mbajtjes së këtij proçesi në territorin e Kosovës.

Në një komunikim me telefon, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi tha se plani operativ policor do të përfshijë parandalimin edhe të fushatës zgjedhore të kandidatëve potencialë.

Ndërsa më herët, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi një letër presidentit të Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy, shefes së Politikës së Jashtme dhe Çështjeve të Sigurisë, zonjës Catherine Ashton dhe përfaqësuesve të pesë shteteve, SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ku shprehte shqetësimin e saj për paralajmërimet e Serbisë.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi akuzoi Beogradin se po provokon një konflikt, pasi pretendimet e tij bien ndesh me ligjet e Kosovës, normat me të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës, si dhe me vetë rezolutën 12-44.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA