Pas takimit me zv.ndihmës sekretarin e Shtetit për Europën, Philip Reeker, kryesocialisti Edi Rama ka patur të tjera takime në Shtetet e Bashkuara, këtë herë në Kongresin amerikan.
Lideri i opozitës është takuar me kongresmenët Engel e Peters, ku ka biseduar rreth programit të ri politik të Partisë Socialiste.
Siç njofton selia rozë, kongresmenët Peters e Engel kanë çmuar rolin e Partisë Socialiste dhe kanë ofruar gjithashtu mbështetje për programin e saj.
Një tjetër takim i zotit Rama ka qenë ai me Gregory Meeks, i cili është demokrati më i lartë në komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë, grupi i Europës.
Kryesocialisti falenderoi kongresmenin për mbështetjen e fortë të dhënë Shqipërisë në proçesin e integrimit të saj në NATO dhe në të njëjtën kohë i kërkoi atij ndihmë konkrete për anëtarësimin e vendit edhe në Bashkimin Europian.
Duke patur në fokus programin e ri të Partisë Socialiste përsa i përket sportit, Edi Rama është takuar edhe me një ish-yll të futbollit amerikan, Heath Shuler, sot kongresmen i Karolinës së Veriut.
Sipas selisë rozë, kongresmeni Shuler ka ofruar ide konkrete për këtë sektor dhe më pas është projektuar edhe një takim i dytë në Tiranë për t’i dhënë një promovim më të madh kulturës sportive në vend.
Kreu i opozitës ka takuar edhe kreun e komisionit për Sigurinë e Brendshme, kongresmenin Aderholt. Takimi i kryetarit Rama me kongresmenin Aderholt ka patur në qendër Shqipërinë.
Vetë kryetari i PS, në një mesazh në faqen zyrtare shprehet se: “Takimi i fundit për këtë herë ishte me kongresmenin Aderholt, kryetar i komisionit të Sigurisë e po ashtu shumë i interesuar për Shqipërinë”.
Aderholt kërkoi informacion mbi proçesin e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Pas ftesës së zotit Rama, Aderholt mund të vizitojë Shqipërinë në maj të këtij viti.
Vizitën e tij në SHBA, Rama e nisi me një takim me studentë të Universitetit të Nju Jorkut dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju Jork.
Ndërsa në Uashington, ai dha një intervistë në studion e VOA, si dhe zhvilloi një seri takimesh me zyrtarë amerikanë në selinë e Departamentit të Shtetit.
Top Channel