Princi William rikthehet nga Falklands

21/03/2012 16:00

Princi William është rikthyer në Britaninë e Madhe, pas një misioni që ngjalli shumë debate në Ishujt Falklands.

Vendosja e tij në territorin britanik të ndodhur pranë brigjeve argjentinase, në detyrën e një piloti të një helikopteri të “Royal Air Force” të specializuar në misione shpëtimi, shkaktoi një tensionim të marrëdhënieve me Buenos Airesit, që pretendon sovranitetin e tij mbi ishujt e quajtur në spanjisht Malvinas.

Qeveria e presidentes De Kirchner e konsideroi prezencën e trashëgimtarit të dytë në radhë të fronit si një “provokim të qartë”.

Rikthimi i William në atdhe vjen në prag të përvjetorit të 30-të të përfundimit të një lufte, që pasoi një pushtim të shkurtër të ishujve nga një juntë ushtarake e gjeneralit Galtieri. Qeveria e Thatcherit u përgjigj atëherë energjikisht, duke zmprasur pushtuesit brenda disa javësh, në një konflikt që la mbi një mijë të vdekur.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rikthimi i William është pjesë e “rutinës së detyrës”. Në një komunikatë, lajmërohej se: “Princit i është dhënë një leje e shkurtër, përpara se të rikthehet për të qenë efektiv i Forcave Ajrore të Mbretërisë”.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, së bashku me territorin e Falklands si pjesë përbërëse. Megjithatë, Britania pushtoi ishujt në vitin 1831 dhe që prej atëherë, Falkland dhe disa arkipelage të tjerë pranë Argjentinës i përkasin Britanisë.

Më parë gjatë javës, në shenjë solidarizimi me “të drejtën e ligjshme” të Argjentinës për të pretenduar territoret në fjalë, Peruja revokoi një leje të dhënë për ankorimin e një luftanije britanike në portet e saj.

Top Channel