Një bombë artizanale ka shpërthyer mëngjesin e sotëm përpara ambasadës së Indonezisë në Paris, për fat të mirë duke shkaktuar vetëm dëme materiale dhe jo në njerëz.
Dëshmitarë pranë vendit të ngjarjes kanë deklaruar se kanë parë tre persona të linin një pako pranë selisë së ambasadës, e cila shpërtheu rreth orës 05:45, në një rreze prej 50 metrash.
Ndërkohë, burime të afërta me grupin hetimor bëjnë të ditur se një person e ka gjetur bombën brenda një çante të dyshimtë dhe pasi e ka parë, e ka hedhur atë pak metra më tej.
Bomba ka shpërthyer rreth 1 minutë më vonë, duke shkaktuar dëme ndaj disa ndërtesave dhe duke djegur disa automjete, ndërkohë që në momentin e shpërthimit rruga ishte bosh.
Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më shik të Parisit, “XVI Arrondissement”, dhe për momentin nuk ka pasur asnjë marrje përsipër të përgjegjësisë për kryerjen e saj.
Në zonën në fjalë janë vendosur forca të shumta policore, ndërkohë që banorët e krahasojnë shpërthimin me atë të vitit 2004, kur një bombë e fshehur poshtë flamurit indonezian shpërtheu duke plagosur disa persona.
Kjo është një tjetër ngjarje e rëndë që trondit Francën, pas vrasjes së tre ushtarakëve dhe katër civilëve në një shkollë hebraike në qytetin jugor të Tuluzit.
Top Channel