Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka acaruar pa masë Izraelin me deklaratën e një dite më parë në Bruksel, kur përveç vrasjes së katër personave në një shkollë hebraike në Toulouse, përmendi, ndër të tjera, dhe vrasjet e fëmijëve në Gaza.
Sipas zëdhënësit Michael Mann, deklarata është keqinterpretuar.
Michael Mann, zëdhënës i PLPJS, Catherine Ashton:
“Dua ta bëj të qartë se fjalët e saj në ngjarjen e djeshme u shtrembëruan rëndë nga një agjensi lajmesh. Në deklaratën e saj, Përfaqësuesja e Lartë iu referua tragjedive që kanë marrë jetë fëmijësh në të gjithë botën, dhe nuk bëri asnjë krahasim të rethanave të sulmit në Toulouse, me situatën në Gaza”.
Fjalimi i Ashton i një dite më parë në Bruksel, u mbajt në një konferencë ndërkombëtare të një agjensie të Kombeve të Bashkuara që punon për të rinjtë dhe refugjatët palestinezë.
“Kur mendojmë se çfarë ndodhi sot në Toulouse, mbajmë mend se çfarë ndodhi vjet në Norvegji, dimë se çfarë po ndodh në Siri, dhe shohim se çfarë po ndodh në Gaza dhe vende të tjera, ne kujtojmë të rinjtë dhe fëmijët që humbën jetët e tyre”, raportoi të hënën agjensia franceze AFP, nga fjalimi i Ashton.
Ndërsa Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Liberman kërkoi tërheqjen e kësaj deklarate nga ana e shefes së diplomacisë evropiane, Ministri i Brendshëm, Eli Yishai kërkoi dorëheqjen e Catherine Ashton nga posti që mban.
Top Channel