Tunizi, protesta në mbështetje të shtetit islamik

20/03/2012 16:25

Një kongres që do të përcaktojë ndikimin që do të ketë islami në ligjet kushtetuese të Tunizisë ka motivuar një turmë prej dhjetëra mijëra njerëzish, që të manifestojnë në mbështetje të një shteti islamik.

Ditën e martë, kongresi që do të debatojë mbi sharian, u grumbullua sërisht, ndërsa mbështetësit e ndryshimeve kushtetuese u grumbulluan në një protestë paqësore në disa rrugë kryesore të kryeqytetit Tuniz.

Debati mbi rolin që duhet të ketë feja në vend është hapur prej muajsh, por ndërsa kongresi po i afrohet publikimit të një qëndrimi përfundimtar, presioni popullor është gjithmonë e në rritje.

Një vit më parë, Tunizia ishte vendi që i dha nismën nisjes së një revolucioni ndërkombëtar në vendet islamike, të quajtur ndryshe si Pranvera Arabe.

Rrëzimi i ish-presidentit Ben Ali, i cili drejtoi vendin me dorë të hekurt për 22 vjet, rigjallëroi ndienjat muslimane, të shtypura nga shteti i mëparshëm laik.

Ashtu si me Vëllazërinë Muslimane në Egjipt, edhe në Tunizi, partitë islamike janë shndërruar në ato me mbështetjen më të madhe popullore.

Vendi i Afrikës Veriore, shtëpi e dhjetë milionë banorëve, njeh aktualisht muslimanizmin si fe zyrtare. 98% e popullsisë deklarohen muslimanë, ndërsa 2% ndahet midis të krishterëve dhe judaistëve.

Top Channel