Grupi amerikan për të drejtat e njeriut, “Human Right Watch”, akuzoi rebelët sirianë për një seri shkeljesh të të drejtave bazë, që përfshijnë rrahje, pengmarrje, torturë apo ekzekutime.
Në deklaratën e publikuar ditën e martë, “HRW” argumentoi se abuzimet nuk mund të justifikohen me taktikat brutale që përdorin autoritetet. Gjithashtu, i kërkohej liderave të opozitës që të ngrihen dhe të dënojnë ashpër këto abuzime.
”Taktikat brutale të qeverisë nuk duhet të marrin një përgjigje të njëjtë. Liderat e opozitës duhet të kenë të qartë se tortura, pengmarrjet apo ekzekutimi i të burgosurve të luftës nuk është i justifikueshëm në asnjë rrethanë”, deklaroi Sarah Leah Whitson, drejtore e “Human Rights Watch” për Lindjen e Mesme.
Ushtria Siriane e Lirë, e cila përfaqëson frontin kryesor të rezistencës anti-qeveritare, nuk i mohoi këto shkelje të të drejtave të njeriut, por theksoi se rastet e evidentuara janë realizuar nga celula të ndryshme luftarake që kanë vepruar pa urdhëra nga qëndra.
USL, në një reagim mbi raportin, theksoi se nuk ka patur asnjëherë një urdhër zyrtar për sjelljen çnjerëzore të rezervuar mbështetësve të Assad, të rënë në duart e rebelëve.
Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 8 mijë persona kanë mbetur të vrarë në konfliktin e nisur një vit më parë, por vlerësime të organizatave të pavarura e ngrejnë bilancin tragjik deri në 15 mijë viktima.
Top Channel