Një raport i Ministrisë së Drejtësisë, depozituar në Kuvendin e
Shqipërisë informon kryeparlamentaren Topalli se gjatë inspektimeve të
vitit të kaluar janë evidentuar 72 prokurorë me shkelje, afërsisht, një e
treta e  numrit në total, të organit të akuzës në vend.

Numri më i lartë i shkeljeve, sipas inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë është vërejtur pikerisht në atë të Shkallës së Parë për Krime të Rënda,për 15 prej tyre. Sipas raportit te gjithe prokuroret e Apelit ne Durrës rezultojnë të kene shkelur ligjin, ndërsa në Tirane vetem kreu i saj ka rezultuar ne perputhje me detyren.

Inspektimi vëren se pikerisht në këtë prokurori jane ushtruar kontrolle per 76 çeshtje penale të përfunduara me vendim pushimi dhe mosfillim i procedimit. Per 27 prej tyre inspektoret e Ministrisë së Drejtësisë mendojne se është shkelur ligji.

Sipas raportit evidentohet shkelje e detyrimit ligjor per ndjekjen e nje politike te drejte penale ne 29 raste. Ne 26 prej tyre shkelje e detyrimit ligjor per kryerjen e veprimeve te vijueshme e te rregullave hetimore. Ne 16 raste shkelje e detyrimit ligjor per fillimin e ndjekjes penale dhe ne 11 shkelje e afateve hetimore dhe zvarritje e hetimeve paraprake.

Akuzat me te renda te Ministrisë së Drejtësisë kundrejt organit te akuzes jane ato per rastet e shkurtimit te denimit, si edhe reduktimit te tij pertej minimumit te percaktuar me ligj. Gjithashtu akuzat jane edhe per Prokuroret e Apelit te cilet nuk ushtrojne rekurs per ne Gjykaten e Larte ndryshe nga qendrimi qe mbajne ne seancat gjyqesore. Ndersa persa i perket titullareve te ketij organi, ministri Eduart Halimi qe ka nenshkruar raportin akuzon se prokuroria si një organ i centralizuar dhe hierarkik nuk ka marre masat e nevojshme per zbatimin efikas te ligjit procedurial penal dhe akteve normative te saj.

Prokurorët: Sulm politik

Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, ka reaguar ndaj raportit të Ministrisë së Drejtësisë, duke e përgënjeshtruar atë dhe duke i cilësuar si të pavërteta konkluzionet e saj.

 

Në deklaratën e kësaj shoqate thuhet se, ato janë tendencioze dhe kanë si qëllim të vetëm të denigrojnë punën e prokurorëve dhe t’i demotivojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre ligjore.

Prokuroret shprehen se kontrolli është ushtruar vetem në 0.28% të çështjeve që ata kanë shqyrtuar në total. Sipas tyre, nga 24 mijë e 472 çështje janë kontrolluar vetëm 653 të tilla.

Shoqata pranon se të vetmet shkelje të vërtejtura që pranohen nga ana e saj janë të karakterit formal, që nuk kanë ndikuar në mënyrën e zgjidhjes ligjore të çështjeve.

Për këtë rrjedhojë, ata cilësojnë se, rekomandimet e Ministrisë së Drejtësisë, që kërkon marrjen e masave disiplinore për 59 prokurorë, duke pretenduar se kanë kryer shkelje në 77 procedime, shkelje të cilat në pjesën dërrmuese të rasteve nuk qëndrojnë, janë absurde dhe të papranueshme.

Shoqata shprehet se, sipas Kushtetutës dhe ligjit, vendimet e prokurorëve kontrollohen vetëm nga gjykata dhe prokurorët më të lartë, por jo nga pushteti ekzekutiv dhe se vetë Ministria e Drejtësisë nuk ka përmbushur as detyrimin ligjor për të përcjellë në  institucionin e Prokurorisë rekomandimet vjetore të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2011, gjë që do të përbënte objektin parësor të kontrollit.

Top Channel