Zëvendëskryeministri serb i Kosovës, Sllobodan Petroviç ka deklaruar se zgjedhjet lokale serbe nuk do të kenë asnjë vlerë nëse mbahen në veri të vendit.

Në një intervistë për një të përditshme lokale, Petroviç ka nënvizuar se strategjia e qeverisë së Kosovës për veriun është efikase, por kërkon kohë për të dhënë rezultate.

“Strategjia e re e qeverisë së Kosovës për veriun do kohë për të dhënë rezultate, por në fund ajo do t’u bëjë me dije qytetarëve serbë të veriut se Kosova është vendi i tyre”, ka theksuar Petroviç.

Më tej ai u ka bërë thirrje serbëve të zonës problematike të Kosovës që të kthjellohen dhe t’i shohin me realizëm përfitimet që po gëzojnë serbët që jetojnë në territorin kosovar.

Lidhur me zgjedhjet serbe, Policia e Kosovës njoftoi javën e kaluar nisjen e përgatitjeve për një plan operativ për parandalimin e mbajtjes së këtij proçesi në territorin e Kosovës.

Në një komunikim me telefon, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi tha se plani operativ policor do të përfshijë parandalimin edhe të fushatës zgjedhore të kandidatëve potencialë.

Ndërsa më herët, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi një letër presidentit të Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy, shefes së Politikës së Jashtme dhe Çështjeve të Sigurisë, zonjës Catherine Ashton dhe përfaqësuesve të pesë shteteve, SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italiasë, ku shprehte shqetësimin e saj për paralajmërimet e Serbisë.

“Po Ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim të thellë me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkelet sovraniteti i shtetit tim, sfidohet fuqishëm integriteti territorial dhe provokohet destabilizimi i Kosovës”, shprehej Jahjaga në letrën e saj.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi akuzoi Beogradin se po provokon një konflikt, pasi pretendimet e tij bien ndesh me ligjet e Kosovës, normat me të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës, si dhe me vetë rezolutën 12-44.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA