Pakistani kundër ndihmës amerikane ndaj terrorit

20/03/2012 16:15

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ndalojnë së përdoruri sulmet me avionë të telekomanduar në territorin pakistanez dhe të kërkojnë falje pa kushte për gabimin që solli vdekjen e 24 ushtarëve vitin e shkuar, sugjeroi një komision qeveritar, në një raport drejtuar Parlamentit të Pakistanit ditën e martë.

”Asnjë operacion i fshehtë apo i hapur, ndërmarrë nga fuqi të tjera, nuk duhet të lejohet brenda Pakistanit”, vlerësoi raporti. Prej vitesh, me aprovimin e Islamabadit zyrtar, ushtria amerikane godet rregullisht bazat e talebanëve, të ndodhur në disa krahina tribale pakistaneze pranë kufirit afgan.

Një shkelje e tillë e sovranitetit justifikohet nga politikanët pro-amerikanë me mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme dhe koston që do të kishte një luftë e njëanshme kundër grupeve militante.

Sipas komisionit të formuar nga disa politikanë të njohur në vend, kuvendi duhet të votojë menjëherë për pezullimin e marrëveshjes me SHBA-në dhe të kërkojë edhe pushimin e çdo aktiviteti që shërbimet inteligjente të vendeve të huaja mund të jenë duke ndërmarrë.

Ekspertët vlerësojnë se raporti ka gjasa të mira të miratohet në parlament, ndonëse është e sigurt një debat i zgjatur disa-javor.

Të shtunën, presidenti Asif Ali Zardari, nga foltorja e Kuvendit të Pakistanit, e cilësoi vitin 2011 si “një vit sfitues në marrëdhënien shumë-dimensionale dhe të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Megjithatë, pavarësisht disa incidenteve që kanë dëmtuar raportet dypalëshe, Zardari shtoi se: “Duhet të vazhdojmë të angazhohemi në një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të qënësishme, e bazuar mbi interesin tonë reciprok”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA