Meksika tronditet nga një tërmet i fuqishëm

20/03/2012 19:45

Një tërmet i fuqishëm goditi krahinën e Akapulkos, në Meksikë, rreth orës 19:30 të ditës së martë.

Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USGS), lajmëroi se lëkundjet e tokës kapën forcën e 7,6 të shkallës rihter.

Epiqëndra e tërmetit ishte 20 kilometra nga qyteti i Ometepekut, në shtetin e Guerreros. Sipas dëshmitarëve, ndërtesa të shumta në kryeqytetin me 8,8 milionë banorë, Meksiko Siti, kanë pësuar krisje, ndërsa njerëzit dolën të tmerruar në rrugë.

Sipas mediave meksikane, ndërtesat u lëkundën për më shumë se një minutë. Në shumë zona, komunikimi me celularë është bërë i pamundur, ndërsa helikopterë janë duke patrulluar mbi kryeqytet.
 

Për momentin, situata është ende e paqartë, ndonëse presidenti i vendit, Felipe Calderon, ne llogarinë e tij në “Twitter” shprehet se nuk ka raportime për viktima.

Në atë që është një koinçidencë e rrallë, pesë minuta pas tërmetit meksikan, lëkundje 6,2 të shkallës rihter u regjistruan edhe në Indonezi.

Top Channel