Shqiptarët e Maqedonisë po diskriminohen edhe në sferën e energjetikës. Partia Demokratike Shqiptare ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Sipas deputetit të PDSH-së, Bekim Fazliu, ky komision kur ka nevojë për kursimin e energjisë, shkyç nga sistemi vetëm zonat shqiptare.
“Nga kriza për rrymë, nga keq menaxhimi i qeverisë, u desht që këto zona, në këtë dimër që ishte shumë i fortë të shkyçen nga rrjeti i rrymës elektrike dhe këto zona e kaluan më shumë pa rrymë se sa me rrymë që vetëm e vetëm disa zona të tjera të kenë rrymë. Paramendoni edhe tek rryma elektrike kemi diskriminim”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Fazliu po ashtu përmendi edhe përfaqësimin e ulët të shqiptarëve në këtë komision dhe në subjektet tjera që merren me energjetikë, e që janë pronë e shtetit.
“Përfaqësimi i shqiptarëve është shumë i vogël, është shumë larg përfaqësimit të drejtë nëpër këto institucione. Kjo kuptohet edhe me fajin e BDI-së që është në qeveri. Poashtu edhe gjuha shqipe nuk gjen aspak përdorim në këtë komision”, shtoi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Sipas PDSH-së, me rritjen e cmimeve të karburantëve dhe të energjisë elektrike, Komisioni Rregullator për Energjetikë është shëndrruar në shkatërrues të ekonomisë së qytetarëve. Këto akuza, deputeti PDSH-së i lëshoi në senacën kuvendore ku u diskutua për përcaktimin e të hyrave vjetore të Komisionit për Energjetikë. Ndaj këtyre akuzave nuk ka reaguar asnjë deputet i mazhorancës, por as edhe përfaqësuesit e komisionit për energjetikë.
Top Channel