Partia më e madhe opozitare maqedonase, LSDM është shprehur kundër festimeve me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Deputetët e kësaj partie në komision parlamentar për Kulutrë, kërkuan që festimet për i 100-vjetorin e flamurit shqiptar të largohet nga programi për festimet e përvjetoret e rëndësishme në vitin 2012. Ata bënë thirrje që të mos ndahen mjete nga buxheti për jubileun njëshekullor të flamurit shqiptar.

“Mendoj se me këtë provokohen tensionet ndëretnike. Është e mundur që maqedonasit të lëndohen sepse tani shënohet 100-vjetori i flamurit shqiptar, ndërsa vitin që shkoi nuk u shënua 70-vjetori i himnit të Maqedonisë”, deklaroi, Gordan Georgiev, deputet i LSDM-së.

Ndaj kësaj kërkese të LSDM-së kanë reaguar ashpër nga deputetët shqiptarë të BDI-së dhe RDK-së.

“Fatkeqësisht ju sot e thatë në mënyrë shumë të hapur që ju nuk pranoni kulturën dhe trashëgimin kulturore të shqiptarëve, ju shkuat deri aty sa shkelët edhe Kushtetutën e vendit, pra thatë që ky 100 vjetor i flamurit shqiptar, i simbolit tonë kombëtar, nuk duhet të festohet”, deklaroi Arben Labunishti, deputet i BDI.

 “Unë mendoj se askush në Maqedoni nuk duhet të ketë lajthitje lidhur me shënimin e 100-vjetorit të flamurit shqiptar sepse ky flamur shqiptar është simbol i popullsisë shqiptare që jeton në Republikën e Maqedonisë, është simbol që është kalitur edhe me ligj”, tha nga ana tjetër Izet Zeqiri, deputet i RDK.  

Në fund të debatit, komisioni për kulturë hodhi poshtë kërkesën e LSDM-së kundër shënimit të 100-vjetorit të flamurit shqiptar në Maqedoni pasi kjo kërkesë nuk u mbështet nga shumica e anëtarëve të komisionit.

Top Channel