Diplomati austriak Stefan Lehne ka deklaruar se në bisedimet Prishtinë-Beograd duhet të përfshihet edhe çështja e autonomisë së veriut të Kosovës.

“Edhe pse dialogu i deritashëm teknik ka qenë produktiv, për të arritur përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve është i domosdoshëm një proçes gjithnjë e më shumë politik”, ka thënë ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës.

Në një intervistë për gazetën beogradase “Politika”, ai është shprehur se veriu duhet të jetë temë e rëndësishme e këtij dialogu, por jo vetmja.

“Një qasje më e gjerë do t’iu kontribuonte shanseve më të mira për balancimin e interesave të palëve. Proçesi duhet të fillojë së shpejti, por duhet të ketë edhe fazën përgatitore të Beogradit, Prishtinës dhe veriut të Kosovës”, ka thënë Lehne.

Thelbi i autonomisë për veriun, sipas tij, duhet të negociohet. “Në vend që të merret cilido model nga një pjesë tjetër e botës, marrëveshja duhet të jetë e përshtatshme për t’iu përgjigjur situatës në veri të Kosovës. Është e domosdoshme që të gjendet një balancë mes dëshirave të banorëve lokalë për të kontrolluar vetë fatin e tyre dhe faktit që ky rajon do të jetë pjesë e Kosovës dhe duhet të ketë lidhje të domosdoshme me autoritetet e Prishtinës”, ka thënë Lehne.

I pyetur nëse pret kushte të reja për Serbinë për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Lehne ka thënë se liderët kryesorë të BE-së kanë shprehur qartë dëshirën për largimin e strukturave paralele nga veriu.

Përsa i përket shpalljes së zgjedhjeve lokale serbe po në këtë pjesë të Kosovës, diplomati austriak ka thënë se një gjë e tillë është kontradiktore me qëndrimin e Beogradit, i cili vazhdimisht bën thirrje për respektimin e Rezolutës 1244 dhe në anën tjetër vepron në kundërshtim me të.

Top Channel