Itali, takimi Monti-sindikatat për punën

20/03/2012 19:25

Kryeministri i Italisë, Mario Monti, nisi bisedimet e tij me sindikatat mbi ligjin e punës, i cili sipas qeverisë duhet të reformohet për t’i dhënë një impuls ekonomisë.

Sindikatat mbrojnë me forcë disa nene të kodit të punës, që i pengojnë firmat e mëdha që të shkarkojnë lehtësisht punonjësit e tyre.

Monti propozon që procedurat për shkarkimin të bëhen më të thjeshta, në mënyrë që ekonomia të bëhet më fleksibël, në të njëjtën kohë që shteti do të subvencionojë ata pronarë që krijojnë vende të reja pune.

Sipas qeverisë teknike që udhëheq Italinë, reforma do të jetë në gjendje të rrisë konkurrencën në tregun e punës.

Megjithatë, kryetarja e një sindikate të qendrës së majtë, Susanna Camuso, akuzoi autoritetet për një aleancë me korporatat e mëdha, në mënyrë që të bëhet më e thjeshtë për ta që të pushojnë punonjësit.

Qeveria e Montit ka deklaruar se është e gatshme të përfshihet në bisedime me punëtorët deri në fundjavë për të gjetur një zgjidhje, por nëse asnjë marrëveshje nuk do të arrihet me sindikatat, atëherë do t’i sfidojë ato duke dërguar projektligjin në parlament.

Rregullat e forta për mbrojtjen e punëtorëve janë fajësuar në Itali për krijimin e një sistemi që monopolizon pozicionet e punës, duke siguruar të vjetërit, ndërsa e bën shumë të vështirë për të rinjtë që të punësohen.

Top Channel