Të paktën 38 persona janë vrarë në një seri shpërthimesh të regjistruara mëngjesin e së martës në Irak, njoftojnë autoritetet lokale.
Dy autobomba raportohet se kanë shpërthyer në qytetin me shumicë shiite të Karbalasë, ku si pasojë kanë mbetur të vrarë 13 persona.
Ndërsa një autobombë tjetër shpërtheu në afërsi të selisë qendrore të policisë në qytetin verior të Kirkukut, duke vrarë shtatë persona, bëjnë të ditur burime spitalore.
Gjithashtu, raportohet për një tjetër autobombë që ka shpërthyer në
Bagdad, ku thuhet se ka vrarë të paktën dy persona, si dhe për disa
sulme në Hila dhe Latifija, në jug të vendit, që e kanë çuar numrin e
viktimave në 38.
Sulmet vijnë përpara mbajtjes së samitit të Ligës Arabe javën e ardhshme, që do të mbahet në kryeqytetin Bagdad. Forcat e sigurisë në Irak kanë rritur nivelin e gatishmërisë në prag të samitit.
Sulmet gjithashtu përputhen me 9-vjetorin e fillimit të pushtimit amerikan të Irakut. Samiti shihet si debutimi i vendit në arenën rajonale, që pason tërheqjen e trupave amerikane në dhjetor të vitit të kaluar.
Vala e dhunës në Irak u rikthye në fillim të muajit me një seri sulmesh të mirëkoordinuara ndaj forcave policore në qytetin perëndimor të Hadites.
Ndërsa në fund të muajit të kaluar të paktën 50 persona u vranë dhe disa dhjetra të tjerë u plagosën në një valë shpërthimesh dhe të shtënash të regjistruara në Bagdad.
Top Channel