Indi, aksident hekurudhor, 15 të vdekur

20/03/2012 09:30

Një tren në shtetin verior të Indisë, Utar Pradesh, është përplasur me një automjet të mbushur me pasagjerë, duke vrarë të paktën 15 persona.

Përplasja ndodhi në një kalim në nivel në afërsi të stacionit hekurudhor të Madusë, ku nuk ndodhej njeri për të dhënë sinjalizime.

Treni ekspres u përplas me një makinë tip “Jeep”, në të cilin ndodheshin 17 persona, duke e shtyrë atë përpara.

Aksidentet hekurudhore janë të zakonshme në Indi, vend që ka një nga rrjetet hekurodhore më të populluara në botë.

Autoritetet lokale deklaruan se aksidenti ka ndodhur kur automjeti u përpoq të kalonte kalimin në nivel në momentin kur treni ekspres po udhëtonte mes Mathurës dhe Kasganxhit.

Në korrik të vitit të kaluar 38 persona u vranë kur një tren goditi në mënyrë të ngjashme një autobus që po transportonte disa dasmorë në Patijali të Utar Pradeshit.

Në maj të vitit 2010, mbi 100 persona u vranë kur një tren nga Mumbai doli nga binarët e tij dhe hyri në binarët e një treni që po i vinte përballë, ngjarje e ndodhur në Bengalin Perëndimor. Shinat ishin dëmtuar nga rebelët maoistë.

Po në korrik të vitit 2010, mbi 60 persona u vranë kur një tren pasagjerësh u përplas me një tjetër që po priste në stacion në Bengalin Perëndimor.

Duke njoftuar buxhetin për hekurudhat e Indisë javën e kaluar, ministri i Hekurudhave Dinesh Trivedi deklaroi se synonte të eleminonte vdekjet si pasojë e rrjetit të ngarkuar të trenave.

Top Channel