Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Tomas Hamerberg ka kritikuar vendet e Ballkanit se nuk kanë bërë sa duhet përsa i përket shpërblimit të familjarëve të viktimave të luftës.

“Fare pak familje të viktimave të luftrave në Ballkan kanë marrë kompensimin adekuat, ndërsa shumë kriminelë lufte vazhdojnë të jenë të lirë dhe të mos përballen me drejtësinë, për shkak të punës së ngadaltë të gjykatave”, ka deklaruar Hamerberg.

Duke folur nga Sarajeva, zyrtari evropian e vuri theksin tek hapat e nevojshëm që sipas tij duhet të ndërmerren për vendosjen e drejtësisë dhe paqen e qendrueshme në rajon.

Sipas tij, vendet e rajonit duhet të mbështesin krijimin e komisionit të së vërtetës dhe pajtimit dhe të sigurojnë për të burime njerëzore dhe financiare.

“Gjykata e Hagës e ka ndihmuar rajonin, por mbetet shumë për t’u bërë. Gjykatat lokale në shumicën e vendeve kanë qenë të ngadalta dhe shpesh herë të penguara nga partitë politike, gjë që ka krijuar një vështirësi serioze në mbrojtjen e dëshmitarëve, sidomos në Kosovë”, ka theksuar Hamerberg.

Më tej zyrtari evropian ka nënvizuar nevojën për krijimin e një fondi rajonal për të kompensuar familjarët e viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë këtu 430 mijë personat e zhvendosur e që jetojnë ende në qendra kolektive dhe rreth 20 mijë gra që gjatë luftës ranë pre e dhunimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA